Presidentja Osmani reagon për skandalin në Pejë: Dhuna ndaj të moshuarve krim i dyfishtë
Presidentja e Kosovës e ka dënuar dhunën në shtëpinë e të moshuarve në Pejë. Në një deklaratë për mediat, zyra për shtyp e presidentes thotë se dhuna është e papranueshme por kur ajo ushtrohet ndaj të moshuarve është krim i dyfishtë.
"Dhuna është e papranueshme pavarësisht ndaj kujt drejtohet. T`i bësh cak dhune të moshuarit është krim i dyfishtë. Ata janë pjesa më e ndjeshme e shoqërisë, kontributi i tyre është themeli jonë.Akti i sotëm i dhunës ndaj një të moshuarës është tronditës, i papranueshëm dhe i patolerueshëm, ndaj Zyra e Presidentes e dënon fuqishëm".
Presidentja kërkon marrjen e masave dhe shtimin e filtrave nëpër të cilët kalon procesi i rekrutimit të punonjësve në institucionet e përkujdesjes.
"Mekanizmat kompetent duhet t'i forcojnë dhe mbikëqyrin kriteret e përzgjedhjes, në mënyrë që atyre që u besohet trajtimi i fëmijëve, grave dhe të moshuarve të kalojnë nëpër filtra të ashpra të rekrutimit.E kemi obligim ta bëjmë një shoqëri sa më humane dhe kjo përpjekje jona duhet të jetë e përditshme".
Zyra e Presidentes fton organet e drejtësisë që këtë rast ta trajtojnë me prioritet ngase akte të tilla janë të patolerueshme dhe të dënueshme.
