SHBA dënon intimidimin në veri, ambasadori amerikan: Akti është kriminal, kërcënues dhe frikacak

Edhe pse mbeten për shtyrjen e vendimit të qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e targave, SHBA-të e kanë dënuar djegien e makinës së shoferit serb në veri të vendit, i cili sapo i kishte zëvendësuar targat ilegale me ato të Kosovës.

Shtetet e Bashkuara kanë reaguar në lidhje me djegien e një automjeti të sapo regjistruar në sistemin RKS në veri të Kosovës.

Policia njoftoi se në orët e para të mëngjesit të së mërkurës u dogj një automjet me targa RKS në komunën e Zubin Potokut, pronar i së cilës ishte një qytetar i minoritetit serb.

Incidenti erdhi një ditë pasi Qeveria e Kosovës ka nisur të zbatojë planin në tri faza për riregjistrimin e makinave me targave ilegale serbe në sistemin RKS.

Në lidhje me këtë i dërguari i Uashingtonit në Prishtinë, Jeffrey Hovenier e cilësoi aktin si kriminal dhe frikacak.

"SHBA e dënon djegien apo shkatërrimin e pronës dhe çdo përpjekje për të intimiduar ata që synojnë të konvertojnë targat në sistemin RKS sipas ligjit të Kosovës. Këto janë vepra frikacake dhe kriminale," tha ai.

Në reagimin e tij ambasadori amerikan ritheksoi edhe njëherë kërkesën e Shteteve të Bashkuara për zgjatjen e vendimit me 12 muaj deri në shtatorin e vitit të ardhshëm.

Rasti i djegies së automjeteve nuk është i vetmi.

Disa incidente radhazi janë raportuar në komunat veriore të Kosovës të banuara kryesisht nga serbët.

Presidentja Osmani deklaroi javën e kaluar se shumica e qytetarëve serbë ishte dakord me ri-regjistrimin e targave, por ata kërcënohen nga bandat kriminale, strukturat ilegale, apo edhe përfaqësuesit politikë serbë për të mos zëvendësuar targat.

Ky ishte shkaku i djegies së automjeteve i serbëve që iu bindën urdhrit të Prishtinës, sipas kryetares së Shtetit.

Prej 1 nëntorit ka nisur faza e parë e cila përfshin qortimin e shoferëve të automjeteve, në 21 nëntor do të hyjnë në fuqi gjobat deri në 150 euro dhe më pas konfiskimi i targave.

Lista serbe, partia më e madhe e minoritetit serb në Kosovë ka paralajmëruar rezistencë të ashpër që nga momenti i shqiptimit të gjobave të para.

Në komunat veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviç dhe Zubin Potok përllogaritet se qarkullojnë deri në 10 000 automjete me targa ilegale serbe.