Momenti i largimit të moshuarës nga shtëpia e dhunës, vajza e përcjell deri te makina
E moshuara e cila u dhunua në qendrën e përkujdesjes “Orenda” në Pejë, është marrë nga familjarët.
Mediat në Kosovë kanë publikuar momentin e largimit të saj nga shtëpia ku u rrah nga punonjëset që është dashur të përkujdeseshin për të.
Në videon e publikuar dy vajza e mbajnë nga krahët dhe e shoqërojnë në makinë.
Në një moment njëra i puth ballin.
“Minirja është banore e kësaj qendre qe një vit. Me publikimin e një videoje në rrjetet sociale jemi shqetësuar të gjithë. Kemi ardhur menjëherë me e tërheq nga shtëpia. Banorin e tërheqim për shkak të asaj qe e kemi parë në video. Ajo është nënë e një dëshmori. Nuk kemi pasur ndonjëherë vërejtje për sjellje të keqe. Ne nuk dimë që diçka ka ndodhur. Fatkeqësia është që zonja vuan nga alzheimeri. Sot është mirë por rasti ka ndodhur para 4 ditëve. Ne presim që hetuesia të zbulojë më shumë”, tregoi më herët dhëndri i të moshuarës.
Ai ka thënë se 650 euro është shuma që ka paguar familja për çdo muaj për këtë pakujdesje dhe se e kanë sjellë në këtë qendër pasi e kanë konsideruar institucion të sigurt.
Policia e Kosovës ka njoftuar arrestimin e tre infermiereve për rastin ndërsa hetimet vazhdojnë.

