Flasin familjarët e të moshuarës që u rrah në Pejë: Vajza e saj në gjendje jo të mirë emocionale

Vajza e së moshuarës, e cila është keqtrajtuar nga punëtoret e Qendrës për të Moshuar në Pejë është shprehur e tronditur për rastin dhe në një gjendje jo të mirë emocionale.

Bashkëshorti i saj tha se me tu njoftuar për ngjarjen e rëndë ka njoftuar policinë.

“E kam lajmëruar policinë e Gjakovës, siç duket e kanë arrestuar, të shohim tash kush është ajo, pse është përdorur ajo dhunë”, ka thënë dhëndri i së moshuarës për RTV Dukagjinin.

Policia e Kosovës njofton se janë arrestuar dy infermieret pasi në rrjetet sociale u shpërndanë pamjet, ku një grua në Shtëpinë e të Moshuarve në Pejë torturohet e rrahet nga një infermiere, derisa dikush afër saj qesh dhe e filmon skenën.

Sakaq Komuna e Pejës në një reagim për ngjarje thotë se institucioni është privat, jashtë juridiksionit të saj. Ndërsa Anton Rasaj, pronar i Qendrës për të Moshuar në Pejë “Orenda” i cili jeton në Zvicër, ka folur ekskluzivisht për gazetën Nacionale duke shprehur dëshpërimin për skena të tilla.

“Kuku për neve, çka ko me bo. Në Kosovë vëlla jo, jo në Kosovë, por këto mund të ndodhin gjithçka. Në ora 7 do të kemi deklaratë. Tani jemi me hetuesi e me avokatë. Ato motrat janë përjashtuar nga puna, faktikisht janë në Polici. Në ora 19:00 do të jepim deklaratë. Nëse keni interes mundeni me ardhë. Ne do të jepim vetëm një deklaratë të shkurtër".