Ushtria serbe thotë se ka rrëzuar një dron komercial
Ministria e Mbrojtjes së Serbisë njoftoi sot rrëzimin e një droni komercial që po lëvizte në drejtim të Kopaonikut në Rashkë.
Sipas saj, droni u rrëzua nga ushtria serbe duke përdorur masa bllokuese elektronike, në afërsi të objekteve ushtarake në garnizonin e Rashkës.
Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviç tha sonte se droni, i cili u rrëzua nga ushtria serbe më herët gjatë ditës së sotme, po fluturonte nga drejtimi i Jarinjës dhe Rudnicës në drejtim të komunës së Rashkës.
Vuçeviç tha se Forcat e Armatosura të Serbisë mbrojtën qiellin e Serbisë.
“I përgëzoj pjesëtarët e Forcave të Armatosura Serbe për veprimin e tyre dhe për saktësinë dhe vendosmërinë e tyre për të mbrojtur qiellin… Qielli mbi Serbi është i sigurt”,
I pyetur për supozimet se i kujt mund të jetë droni i rrëzuar, Vuçeviç tha se drejtimi i lëvizjes së dronit “është i qartë dhe tregon zonën nga vjen”.
“Hetimi do të përcaktojë se për çfarë lloj droni bëhet fjalë dhe gjithçka që do të vërtetojmë nga kjo si situatë faktike do të na çojë në atë ose do të tregojë se kush mund të jetë pronari. Do të shohim gjithashtu se kush është prodhuesi i atij droni dhe do të kemi një pamje më të qartë në ditët dhe orët në vijim”, tha Vuçeviç
Ndërkohë ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj, ka hedhur poshtë raportimet e mediave serbe se dronët që janë vërejtur mbi Serbi kanë hyrë nga territori i Kosovës.
“Çfarëdo diskursi i tillë është vetëm pretekst për rritjen e numrit të trupave të ushtrisë serbe përreth kufirit me Republikën e Kosovës, si mjet për përhapjen e një gjendjeje paniku mbi qytetarët e të dyja shteteve”, shkroi Mehaj në Facebook.
Disa media në Serbi transmetuan informacione jozyrtare më 1 nëntor, se dronët pa pilotë “po filmonin aktivitete në zonën e sigurisë tokësore dhe në dy kazerma” - domethënë, sipas raportimeve, fluturuan mbi Merdare dhe rrethinat e Rashkës, në kufirin me Kosovën dhe në jug të Serbisë.
Vuçeviç tha për RTS-në se, pas shfaqjes së dronëve, Vuçiq ka dhënë urdhrin që “çdo objekt i tillë të eliminohej ose të vihej nën kontrollin tonë”.
