Misteri i dy sulmeve me tritol, shpërthimet në Lushnje e Fushë Krujë, ende pa autorë e motiv

Familja e një tregtari në Lushnje dhe një familje me origjinë nga Kukësi e vendosur në Fushë Krujë morën mbrëmjen e së martës mesazh kërcënues me tritol në derë të shtëpive ku jetojnë. Në të dy rastet, autorët janë të lirë dhe motivet mbeten të paqarta.

Drita e diellit zbuloi pasojat e sulmit me eksploziv që u shënua gjatë natës në banesën e tregtarit në lagjen 18 Tetori në Lushnje.

Anëtarët e familjes së Altin Lamçes, që jeton aty po riparonin dëmet.

Ndërsa ekspertët e policisë lokale u rikthyen për të marrë dëshmitë e tyre dhe në kërkim të provave të reja.

Motivet dhe autorët mbeten të panjohura, ndërsa anëtarët e familjes së tregtarit të fruta perimeve mohojnë të kenë konflikte.

Shpërthimi me ekspoziv u shënua mbrëmjen e së martës, 2 nentor 2022 në kohën kur aty ndodheshin 5 anëtarë të familjes Lamçe, që fatmirësisht veç tronditjes nuk patën dëmtime.

Për pasojë u thyen xhama dhe u dëmtuan dyert e banesës, sikurse dy makina të parkuara aty jashtë.

Dyshimet janë se tritoli u hodh nga një makinë në lëvizje, për të rënë në gjurmët e së cilës, po shihen kamerat e sigurisë në zonë.

Altin Lamçe, njihet si tregtar i fruta perimeve në Lushnje, ndërsa banesa ku jeton është në pronësi të kunatit të tij, Arben Turku që është zhvendosur në Angli.

Pa autorë dhe motiv deri tani, mbetet edhe sulmi me ekspoziv ndaj banesës së familjes Baftjari në lagjen "Magaze" të Fushë Krujës.
Shpërthimi u shënua rreth orës 22:40 minuta, dhe për pasojë pati dëme material.