Asteroidi i parë shqiptar në hapësirë mban emrin “Pranvera”

Pranvera Hyseni, astronaute në emisionin “Jeto me Orën” tregoi rreth pasionit të saj për vëzhgimin e yjeve si dhe dëshirës për ta kthyer këtë pasion në një profesion.

Gjithçka nisi gjatë një eklipsi të diellit më 1999.

Pranvera Hyseni: Kam arritur që dëshirën për eksplorimin e planetëve ta kthej në profesion. Po synoj që pas disa vitesh ta kthej këtë hobi në një karrierë ku të jap kontributin tim. Dëshirën për astronomi e kam pasur që fëmijë. Ka qenë koha e luftës 1999 ku u bë eklipsi i diellit, në Kosovë u pa vetëm 97 për qind. Nuk kam pasur dhe shumë mundësi e libra për të lexuar për të kuptuar informacionet.

Dhe pse marrja e informacioneve për të nuk ishte e lehtë, ajo po kontribuon që një gjë e tillë të mos ndodhë me brezat e ardhshëm në Kosovë.

Pranvera Hyseni: Kam themeluar organizatën e parë të astronomisë në Kosovë. Kjo ka qenë gjëja e duhur që i është dashur vendit tonë. Kemi bërë mbledhjen e donacioneve të ndryshme.

Po mundohemi që qëllimi ynë është të involgojmë qytetarët për vrojtime të tilla, duam të nxisim të rinjtë për fusha të tilla. Kemi tetë vite, që çdo javë shkojmë në shkolla të Kosovës e në sheshe dhe vendosim teleskopët dhe vrojtojmë bashkë me qytetarët. Gjithçka është falas.

Në SHBA thotë se kushtet janë të jashtëzakonshme dhe studimet e saj po vijojnë.

Pranvera Hyseni: Vendosja në SHBA nuk ka qenë e lehtë. Kam ardhur këtu për studime master në fushën e Shkencave Planetare, tashmë jam në studimet e doktoraturës që do të zgjasin rreth 5 vite. Jam në fushën e asteroideve të vegjël. Kushtet janë të jashtëzakonshme.  

Gjatë rrugëtimit të saj nuk ka munguar as motivimi dhe shpërblimi për punën që ka bërë. Minor planet i ka vënë emrin e shqiptares një asteroidi emrin e saj “Pranvera”.

Pranvera Hyseni: Në atë kohë kam qenë fillestare në këtë pjesë. Krijova një farë rrjeti dhe për shkak të kontributit kanë dashur të na inspirojnë dhe na kanë nderuar me pagëzim të një asteroid me emër shqiptar.