Rama të rinjve: Kam qenë vetë emigrant, mos harxhoni lekë të ikni me kontrabandistë në Angli

Kryeministri Rama ka qenë i pranishëm ditën e sotme me të rinjtë e Ersekës tha se ka qenë vetë emigrant dhe e di se sa e vështirë është jashtë vendit.

Ai u shpreh se qeveria nuk ndalon njeri për të emigruar, por kurrë nuk duhet bërë me kontrabandistët dhe me rrugët ilegale për të harxhuar gjithë ato para.

Rama: Të harxhosh para për të paguar kontrabandistë, për të kaluar kanalin atje, për të shkuar në Angli, ndërkohë që me ato para mund të bësh këtu një investim, të kësaj natyre që po them, është komplet fatkeqësi, është budallallëk.

Unë kam qenë emigrant, e di shumë mirë se çfarë flas. Mua as më ka dalë keq dhe as nuk mund t’i them askujt që mos e provo, në asnjë mënyrë. Kjo është sipas njeriut, çdo njeri ka të drejtën e vet, çdo njeri është i lirë. Nuk ka shtet, nuk ka qeveri që duhet t’i tregojë, por kurrë me kontrabandistët dhe me rrugët ilegale për të harxhuar gjithë ato para dhe për të përfunduar, nuk i dihet se si dhe se ku, këtë jo. Dhe nga ana tjetër kurrë me idenë, që këtu s’ka asnjë mundësi. Jo, është gabim, nuk është e vërtetë, sepse ne nuk po shikojmë ëndrra rrugëve të Shqipërisë prej kaq vitesh, po i referohemi realitetit.

Sot ne po i afrohemi gjysmë miliardi euro eksporteve. Shqipëria, gjysme miliardi euro eksporte bujqësore që as nuk imagjinoheshin përpara 6-7 vitesh. Po ça janë këto gjysmë miliardi euro eksportesh? Këto janë prodhime të Shqipërisë këtu, të njerëzve këtu. Po ku shkojnë këto para? Këto shkojnë tek këta njerëz, mos harroni që fshati është i pataksuar në Shqipëri. Mund të duket si një gjë kështu, por është i pataksuar.