Fasoneritë në krizë për 25 mijë punëtorë, Prençe: Punësim edhe për persona me asistencë sociale
Kompanitë fasone kanë rreth 25 mijë vende të lira pune por nuk po munden të gjejnë punonjës. Ndaj kanë kërkuar të lidhin kontrata me persona me asistence sociale por edhe me shtetas nga vendet e treta.
Kompanitë e fasonerive në vendin tonë përveç po përballen jo vetëm me shtrenjtimin e paprecedentë të produkteve dhe shërbimeve, por edhe me një tjetër krizë, atë të mungesës së punonjësve.
Kreu i shoqatës së tyre Edvin Prence, thotë se janë 25 mijë vende vakante në këtë sektor.
“Sektori ka një mungesë të krahut të punës që përllogaritet në 25 mijë vende të lira që sjell edhe mungesë prodhimi.”
Nga qeveria kanë kërkuar që të punësojnë personat me asistencë sociale të aftë për punë.
“Aktualisht janë mbi 92 mijë persona që marrin asistencë sociale dhe kemi kërkuar që ata që gëzojnë shëndet të plotë të punojnë.”
Por duke qenë se reagimi i qeverisë ende nuk ka ardhur, ata kanë kërkuar ndihmë edhe drejt vendeve të treta.
“Ajo që po ka sukses janë punëtorët nga Filipinet dhe po presim një grup tjetër nga Nepali.”
Punonjësit nga bangladeshi e kanë përdorur Shqipërinë si një rrugë kalimi për në vendet e zhvilluara, ndaj për të shmangur këtë fenomen, më shumë të interesuar janë për të punësuar gra.
“Kemi kërkuar të marrim gra, sepse ka një përqindje më të ulët për tu larguar nga vendi i punës.”
Sipas kontratave, punonjësve u ofrohet akomodimi.
“Kemi kontrata me punonjësit dhe po ashtu u ofrohet edhe akomodimi e ushqimi.”
Nëse nuk do të ketë reagim në kohë nga qeveria në fillim të vitit të ardhshëm, shumë kompani rrezikojnë të mbyllen.
