Gara SHBA – Kinë për inteligjencën artificiale. Po Europa?
Amerikanët dhe kinezët kanë hyrë në një garë të ethshme për teknologjinë e lartë për të prodhuar pajisje më të sofistikuara. Ekspertët evropianë bëjnë thirrje që BE-ja të ndërmarrë masa të menjëhershme në financimin e projekteve kërkimore për mikorçipat edhe në Evropë.
Gara mes amerikanëve dhe kinezëve ka prekur një nga sektorët më të rëndësishëm të këtij shekulli, inteligjencën artificiale.
Vetëm pak ditë më parë, amerikanët njoftuan sanksione të forta ndaj gjigantit aziatik sa i përket eksportit të gjysmëpërçuesve, të domosdoshëm për të prodhuar pajisjet e reja teknologjike.
Gara mes dy gjigantëve është bërë e ashpër, ndërsa të dy duan t’ia mbrrijnë sa më parë përsosjes së kompjuterave të gjeneratës së re.
Në rrafsh ndërkombëtar, Amerika, Kina, Korea e Jugut dhe Tajvani janë prodhuesit më të mëdhenj të mikroçipave dhe gjysmëpërçuesve në botë.
Ndërkohë, evropianët janë duke marrë masa që të mos mbeten prapa në këtë betejë të fortë që do të karakterizojë dekada të tëra.
Deri më tani, sipas ekspertëve, Evropa është disi mbrapa me mbështetjen për këtë sektor të rëndësishëm strategjik.
Industria e çipave po bëhet qartë një nga fushat e betejës aktive të rivalitetit të ri gjeopolitik, thonë ekspretët. Ata sugjerojnë subvencione dhe politika proteksionizmi që BE-ja të mos dal duarbosh në këtë përleshje.