"Përveshin mëngët për luftë", Kievi vijon kundërofensivën në Kerson, Moska sjell trupa shtesë

Prej disa ditësh tashmë evakuimet e civilëve kanë arritur në mijëra në rajonin e Kersonit ndërsa forcat ukrainase vijojnë kundërofensivën për rimarrjen e tij. Kievi raporton se Moska po sjell 1000 trupa shtesë për të kompensuar humbjet e shkaktuara nga ushtria ukrainase.

Ushtria ukrainase pretendon se Rusia po grumbullon trupa në anën e djathtë të bregut të lumit Dnjepër, ndërsa të dyja palët po bëhen gati për atë që mund të jetë beteja kyçe për qytetin jugor ukrainas Kerson, tashmë të aneksuar nga Moska.

Kievi tha se Moska ka dërguar rreth 1000 ushtarë shtesë për të mbushur radhët pas humbjeve të pësuara gjatë kundërofensivës ukrainase në Kerson.                           

Sipas raportimeve civilët po vazhdojnë të zhvendosen nga ana e djathtë e lumit Dnjepër në Kerson në atë të majtë.

Ukraina ka vazhduar ofensivën e saj për rimarrjen e rajonit Kerson dhe kryeqytetit rajonal me të njëjtin emër të cilin forcat ruse e pushtuan në ditët e para të luftës.

Forcat ukrainase kanë rrethuar Kersonin nga perëndimi dhe po sulmojnë forcat ruse që gjenden në anën e djathtë të bregut të Lumit Dnjepër.

Megjithatë, zyrtarët thanë se moti i keq dhe terreni i vështirë kanë ngadalësuar përparimin e ushtrisë ukrainase në Kerson.

Zyrtarët e instaluar nga Rusia në Kerson thanë më 27 tetor se mbi 70 000 persona janë larguar nga qyteti, përfshirë anëtarë të administratës rajonale të instaluar nga Moska.

Megjithatë sulmet ajrore ruse, ato me dronë dhe granatimet ndaj infrastrukturës së energjisë ukrainase kanë vazhduar sipas zyrtarëve duke raportuar se si pasojë e sulmeve është ndërprerë furnizimi me energji në Kiev e qytete të tjera.