"Nuk përdorim armë bërthamore", SHBA-të nuk binden nga fjalimi i Putin: Nëse jo pse flet për to
Shtëpinë e Bardhë nuk e ka bindur premtimi i presidentit Putin se Rusia nuk do të përdorte armë bërthamore në Ukrainë. Biden shprehet ende skeptik për përdorimin e nukleareve
Presidenti Biden shprehu skepticizëm në lidhje me komentet e presidentit rus Vladimir Putin se ai nuk kishte ndërmend të përdorte armë bërthamore në Ukrainë.
Putin, në një fjalim më herët gjatë ditës, hodhi poshtë një përplasje bërthamore me Perëndimin, duke këmbëngulur se Rusia nuk kishte kërcënuar se do të përdorte armë bërthamore më herët dhe pretendoi se i ishte përgjigjur vetëm shantazhit bërthamor nga udhëheqësit perëndimorë.
"Nëse ai nuk ka qëllim për të përdorur armë bërthamore, pse vazhdon të flasë ende për këtë? Pse po flet për aftësinë për të përdorur një armë taktike bërthamore? Ai ka qenë i rrezikshëm në mënyrën se si i është qasur kësaj," tha ai.
Putin dhe zyrtarë të tjerë rusë kanë thënë vazhdimisht në javët e fundit se Rusia mund të përdorë armë bërthamore për të mbrojtur integritetin e saj territorial, vërejtje të interpretuara në Perëndim si kërcënime të nënkuptuara për t'i përdorur ato për të mbrojtur pjesë të Ukrainës që Rusia pretendon se i ka aneksuar.
Zëdhënësi i Pentagonit John Kirby tha se ishte e mundur që Rusia po konsideronte përdorimin e të ashtuquajturës bombë të pistë dhe po krijonte një pretekst për të fajësuar Ukrainën, por ai tha se Shtetet e Bashkuara ende nuk kishin parë ndonjë shenjë evidente.