Scholz mbron Greqinë nga kërcënimet e Turqisë
Kancelari Olaf Scholz mori në mbrojtje Greqinë ndaj kërcënimeve të Turqisë lidhur me ishujt grekë në lindje të Mesdheut.
Nuk është e mundur, "që partnerët e NATO-s të venë në pikëpyetje sovranitetin e njeri-tjetrit", tha Scholz gjatë vizitës me 27 tetor në Athinë.
Marrëdhëniet e mira mes Turqisë dhe Greqisë janë të rëndësishme jo vetëm për këto dy vende, por për të gjithë Europën. Problemet duhet "të zgjidhen në dialog dhe mbi bazën e së drejtës ndërkombëtare", theksoi ai.
"Nëse palët e konsiderojnë të nevojshme, Gjermania mund të kontribuojë", ofroi kancelari Scholz.
Kryeministri i Greqisë Kyriakos Mitsotakis në konferencën e përbashkët të shtypit me Scholz akuzoi presidentin turk Rexhep Tayyip Erdogan se përhap gënjeshtra për Greqinë.
Kryeministri deklaroi, përkundër akuzave nga Ankaraja, se nga ishujt grek "nuk vjen rrezik".
Njëkohësisht ai deklaroi, se gjashtë tanke mbrojtëse Marder nga Gjermania do të dislokohen në kufirin me Turqinë. Ato do të vendosen në lumin kufitar të Evros në veri-lindje të vendit, tha Mitsotakis.
Shkëmbim tankesh në mbështetje të Ukrainës
Gjermania para pak ditësh dërgoi në Greqi gjashtë nga 40 tanket Marder që do të dërgohen gjithsej në Greqi për të realizuar një shkëmbim në mbështetje të Ukrainës.
Greqia do të mbajë tanket gjermane për të dërguar në Ukrainë 40 tanket e arsenalit të saj të tipit BMP-1, të cilat ukrainasit mund t'i përdorin kundër agresionit nga Rusia.
Mes Greqisë dhe Turqisë ka tensione masive, që kanë të bëjnë me dislokimin e armëve dhe trupave në ishujt grekë në Mesdhe.
Presidenti turk në mënyrë të përsëritur ka kërcënuar vendin fqinj me një sulm duke paralajmëruar: "Ne mund të vijmë papritur një natë."
Të dy vendet anëtare të NATO-s prej vitesh grinden mbi të drejtat ndaj rezervave të gazit natyror në lindje të Mesdheut./DW/
