Punonjësi i bën 'gropën' New York Post në twitter me thirrjet për vrasjen e Biden dhe politikanëve të tjerë

Tabloidi amerikan New York Post pretendon se është hakuar nga një punonjës i cili ka postuar artikuj dhe mesazhe në Twitter duke bërë thirrje për vrasjen e presidentit Joe Biden dhe politikanëve të tjerë.

“The New York Post është hakuar”, tha vetë gazeta pasi me sa duket rifitoi kontrollin e llogarisë së saj në Twitter.

 “Hetimi i New York Post tregon se veprimet e paautorizuara janë kryer nga një punonjës dhe ne po marrim masat e duhura”, shtoi gazeta në një deklaratë dërguar AFP.

Në mëngjes u postuan mesazhe në llogarinë e NYP në Twitter duke u kërkuar njerëzve të vrisnin Biden ose kongresmenen demokrate të Nju Jorkut, Alexandra Ocasio-Cortez.

 Postimet ishin në stilin e zakonshëm të mesazheve të publikuara nga gazeta, e cila është në pronësi të News Corp, “perandorisë” mediatike të miliarderit Rupert Murdoch.

Një postim me përmbajtje raciste kundër kryebashkiakut afrikano-amerikan të Nju Jorkut Eric Adams përmbante një lidhje me një artikull me të njëjtin titull, sipas reporterit të BuzzfeedNews, David Mack.

"Punonjësi është pushuar nga puna," tha NYP, duke sqaruar se ka hequr menjëherë përmbajtjen e "dënueshme" nga faqja e saj dhe nga llogaritë e saj në platformat e mediave sociale.