Rama tha se financon 80% të faturës së energjisë, Shano: 10 vjet Kryeministër dhe se mori vesh që qeveria nuk ka asnjë lek

Banka Botërore thotë se rritja e çmimeve në Shqipëri do të përkeqësojë jetesën e familjeve shqiptare.

Banka Botërore raporton se në këtë situatë ekonomike do të ketë rritje të ndjeshme të inflacionit, si dhe do të krijohen probleme dhe shqetësime në tregjet financiare.

Dritan Shano, ekspert ekonomie, i ftuar në Rtv Ora me gazetaren Beti Njuma, thotë se nflacioni i ushqimeve që prek më shumë pensionistët dhe të varfrit është shumë herë më i lartë se 8.1%, që është inflacioni mesatar.

Shano: Shkon deri në 30%. Është rregullisht 14-16% për ushqimet dhe deri në 30% për vajin ose gjëra të tilla.Ky alarm që ne kemi është shumë i bazuar, është në nivel përgjegjshmërie. Unë nuk bëj politikë me këto gjëra, i kërkoj qeverisë që të kujdeset për shqiptarët.

E ndërsa çmimet e ushqimeve nuk mbahen, qeveria dhe kryeministri Rama e shesin si sukses mbrojtjen e qytetarëve nga rritja e çmimit të energjisë, duke thënë se në çdo faturë të konsumatorëve familjarë 20% paguajnë qytetarët dhe 80% qeveria.

Shano: Kryeministri ka 10 vjet që është kryeministër dhe nuk e ka marrë vesh akoma që qeveria nuk ka asnjë lekë, të gjitha lekët janë të shqiptarëve, ato që mbledhen nga taksat dhe ato që merren borxh. Qeveria ka për detyrë ti menaxhojë ose ti bëjë rrush e kumbulla apo t'ua japë oligarkëve që i pëlqejnë asaj.

Ai 80% janë paratë tona. Nuk ka para qeveria, kush ja la qeverisë, gjyshja? Janë paratë tona dhe ato. Nëse mungesa e energjisë na e prish ne nivelin e jetesës ti do t'ja heqësh investimeve dhe do ti harxhosh për të mbuluar këtë gep të krijuar për një rrethanë jashtë vullnetit tënd. Sistemi jonë është një sistem i rregulluar, çrregulloje, të gjitha votat i ke.

Eksperti i ekonomisë thotë se qeveria Rama i ka qejf gjobat porse ato nuk të çojnë asgjëkundi.

Shano: Gjobat nuk të çojnë asgjëkundi, është transparenca që krijon bindje, që sjell bindje në sistemin fiskal. Kjo mungon. Nuk ka raport, nuk ka vlerësim të brendshëm dhe të jashtëm i cili nuk vë gishtin te mungesa e transparencës në harxhimin e parasë publike, dhënien e koncesioneve, PPP e me radhë.