Jo vetëm ustallarët, ikën dhe “hamallët”, ekspertët: Qeveria duhet të menaxhojë krizën e papunësisë
Mungesa e forcës punëtore në vend po rritet ndjeshëm nga dita në ditë. Sipas ekspertëve, qeveria ende nuk ka një plan masash për të frenuar largimin e punëtorëve nga vendi. Sipas raporteve, të rinjtë po largohen nga Shqipëria për të mos u kthyer më.
Largimi i shqiptarëve, kryesisht i të rinjve, të cilët synojnë punësimin në vendet e Bashkimit Europian duket se nuk e shqetëson aspak qeverinë.
Eksperti i punësimit, Erion Muça, thotë se qeveria nuk ka një plan masash për të menaxhuar këtë krizë punëtore që nis nga ikja e trurit, ato që njihen dhe si ustallarë në profesione të veçanta, por tashmë është shtrirë edhe tek punonjësit e thjeshtë dhe ndihmësat.
Ndonëse statistikat tregojnë që ka një rënie të të papunëve, eksperti liston arsyet e këtyre të dhënave.
Muça: Ka njëe reduktim në tre mujorin e fundit të papunësisë i cili është kryesisht për inerci të punësimit sezonal apo heqjen nga lista e të papunëve fiktivë të shumë punonjësve që regjistrohen si të tillë vetëm për efekt dokumentacioni.
Qeveria duhet të këtë në gatishmëri indikatorët për të frenuar largimin e forcës punëtore nga vendi.
Muça: Punësimi duhet të jetë prioritet imediat. Së dyti emigracioni duhet të trajtohet me të njëjtin ritëm që po ndodh. Së treti duhet të ndërtohet një ofertë kombëtare e mundësive dhe hapësirave për punë që ka tregu vendas i punës bazuar në profesione, zanate dhe aftësi që kërkohen për to. Më pas do të vinte dhe rëndësia që ka bashkëpunimi mes sektorit privat dhe atij publik.
Për eksperten e çështjeve rinore, Ervjola Osmanaj, punësimi është arsyeja kryesore që të rinjtë largohen.
Ndonëse Shqipëria ka nevojë për forcë punëtore, kushtet dhe kriteret nuk i plotësojnë pritshmëritë e të rinjve.
Osmanaj: Referuar statistikave janë më shumë se 76% e të rinjve që kërkojnë të largohen nga vendi dhe 58% e të rinjve të cilët duan të ikin, ikin për të mos u kthyer më. Ka problematika të theksuara me punësimin ku mbi 85% e të rinjve shprehen se është e pamundur të gjejnë një vend pune në bazë të meritokracisë apo në bazë të degës së studimit që ata kanë kryer dhe janë investuar.
Sipas saj arsyeja tjetër që të rinjtë largohen së fundmi është dhe rritja e çmimeve, pasi gjendja ekonomike ose paga me të cilën trajtohen nuk justifikojnë shpenzimet që ata kanë në këtë situatë.
