"Serbia premton trazira në veri", Vuçiç: Prishtina kërcënon paqen dhe mbijetesën tonë, s’ka dorëzim

Skenari i fund korrikut pritet të përsëritet sërish në veri të Kosovës. Përfaqësuesit politikë të serbëve në Kosovë në takimin që patën me Vuçiç konkluduan se do të tregojnë rezistencë ndaj forcave të policisë kosovare duke bllokuar rrugët nëpër hyrjet daljet e pikave kufitare të vendit.

Me ashpërsi, presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç ka bërë thirrje për mosbindje të serbëve të Kosovës ndaj thirrjes së qeverisë Kurti për riregjistrimin e targave në sistemin RKS, afat i cili përfundon në 31 tetor.

"Regjimi i Prishtinës kërcënon stabilitetin, paqen dhe mbijetesën e popullit serb në Kosovë duke kërcënuar se do të vazhdojë aksionin lidhur me riregjistrimin e targave të automjeteve. Serbia do të qëndrojë plotësisht pranë popullit serb në Kosovë, nuk ka dorëzim," tha ai.

Kreu i shtetit i bëri këto deklarata në një mbledhje të Sigurisë Kombëtare.

Kreu i Srpska Lista, Goran Rakiç i cili kërkoi një takim me Vuçiç, u zotua se do të bllokonte të gjitha vendkalimet nëpër hyrje daljet e Kosovës njësoj si në fund të korrikut.

"I kërkuam presidentit Vuçiç që nëse Njësitë Speciale, policia apo kushdo tjetër niset për të marrë pronën tonë, përfshirë edhe targat do të përdorim të gjitha mjetet për rezistencë popullore. Nëse ndërmerret ndonjë aksion i dhunshëm për konfiskimin e automjeteve, do të bllokojmë të gjitha hyrjet dhe daljet e vendit," tha ai.

Ndërsa presidentja Osmani tha se pjesa dërmuese e serbëve ka pranuar që të regjistrojë targat në sistemin RKS me përjashtim të atyre që kërcënohen nga bandat.

"Për një kohë të gjatë qytetarët serb po e respektojnë ligjin, po i konvertojnë targat. Si rezultat i kësaj po ju djegin shtëpitë, po ju djegin makinat.

Rasti i fundit ka ndodhur mbrëmë. Gjithë këto veprime të strukturave ilegale dhe kriminale që  janë në listën e zezë të SHBA, dëshmojë që kjo në esencë është në sundimin e ligjit," tha ajo.

Në ditët e fundit disa raste të djegies së automjeteve dhe banesave janë raportuar në komunat ku shumica e qytetarëve janë serbë.