"Kosova të pranojë propozimin", PE: Më mirë që Prishtina të marrë diçka, se sa asgjë
Parlamenti Evropian i bën thirrje Kosovës që të pranojë propozimin franko-gjerman, i cili sipas të dërguarës së PE në Prishtinë do t’i sillte vendit njohje të reja dhe progres në agjendën ndërkombëtare.
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka thënë se propozimi franko-gjerman është mundësi e mirë për të ecur përpara në dialogun Kosovë-Serbi.
Në konferencë për medie të hënën në Prishtinë, eurodeputetja gjermane i ka bërë thirrje Kosovës si një nga vendet më pro-evropian që ta pranojë propozimin që vjen nga Parisi dhe Berlini edhe pse ajo nuk është një marrëveshje ndërkombëtare.
Pranimi i propozimit, sipas Von Cramon do t’i sillte Kosovës njohje të reja nga vendet e BE-së.
"Pakoja do të ishte e pranueshme për të dyja palët. Propozimi është një mundësi e madhe dhe kërkon që ata që janë në pushtet ta shqyrtojnë me kujdes. Ky është një rast i mrekullueshëm që palët të ecin përpara drejt integrimit evropian, i cili është i nevojshëm. Kosova si vendi më pro-evropian duhet ta përkrahë këtë dhe duke e pranuar Kosova do të ecte përpara në agjendën ndërkombëtare. Do të shihni se Kosova do të përballet me një fazë të re të njohjes," tha ajo.
Aktualisht Sllovakia, Qipro, Greqia, Spanja dhe Rumania nuk e njohin ende Kosovën edhe pse janë anëtare të Bashkimit Evropian.
Eurodeputetja gjermane i bëri thirrje lidershipit kosovar që të shfrytëzonte çdo mundësi në kohë sa më të shkurtër pasi i druhet qeverive të djathta që do të marrin presidencën e Bashkimit Evropian në mandatet në vijim.
"Edhe nëse nuk merrni 100% do të jetë më mirë për ju të merrni 90% se sa asgjë. Kjo është një mundësi që Qeveria të shikojë para se e djathta në BE të marrë më shumë pushtet në BE dhe gjërat të bëhen më të vështira. Përderisa presidenca e BE-së do të kalojë nga Suedia tek Spanja, a do t’i lehtësojë kjo gjërat? Nuk besoj, kështu që gjithçka që do të arrihej tani do të ishte zgjidhje më e mirë se gjithçka që shtyhet," tha ajo.
Raportuesja për Prishtinën në PE ripërsëriti edhe njëherë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave.