Digjet makina në veri të Kosovës, sapo kishte konvertuar targat

Një makinë në Leposaviq të Kosovës, që sapo kishte konvertuar targat në RKS (Republika e Kosovës) është djegur, thanë nga Policia e Kosovës.
Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Besim Hoti, tha për Radion Evropa e Lirë se ende nuk dihet se kush ia vuri flakën veturës.
“Policia e Kosovës dhe zjarrfikësit kanë dalë në vendin e ngjarjes për detyrat e tyre, por sidoqoftë mbetet të punohet në drejtim të hetimit të mëtutjeshme për akterët e mundshëm të këtij akti kriminal”, tha Hoti.
Djegia e veturës në fshatin Krajkovë të Leposaviqit të banuar me shumicë serbe, sipas raportit 24-orësh të policisë, ka ndodhur në orën 04:00 të mëngjesit.
Ky incident vjen disa ditë para se të përmbyllet procesi i riregjistrimit të makinave nga targat e lëshuara nga Serbia, në targat RKS.
Edhe në të kaluarën, autoritetet në Kosovë kanë raportuar për djegie të veturave të personave që i kanë konvertuar targat në RKS.
“Nuk kemi ndonjë informacion në këtë fazë, sepse nuk është vetura e vetme që është djegur, janë disa vetura që në këtë periudhë kohore që janë djegur dhe qytetarët janë dëmtuar në pronat e tyre, sidoqoftë mbetet të hetohet më tutje”, tha Hoti.
Po ashtu, në shtator ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, kishte shkruar në Twitter se “edhe një zyrtar serb i Policisë së Kosovës u sulmua nga strukturat paralele që dogjën veturën e tij me targa legale RKS. Kjo është thirrje e hapur për të luftuar institucionet e Kosovës”.
The fear-mongering tendencies continue. Today another Serbian KP officer was assaulted by illegal structures who burned his car with legal RKS plates.This is an open invitation to fight RKS inst. We ask Vucic to stop supporting violent & terrorist acts towards loyal RKS citizens.
— Xhelal Sveçla (@XSvecla) September 19, 2022
