Betohet qeveria e re në Beograd, Bërnabiç sërish kryeministre

Parlamenti i Serbisë ka votuar të mërkurën për Qeverinë e re, e cila do të ketë prioritet investimet në infrastrukturën e energjisë dhe anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Kabineti i ri do të ketë në krye Ana Bërnabiçin, e cila ka pasur rolin e kryeministres edhe në dy qeveritë e kaluara.

Qeveria e re do të ketë 28 ministra, kryesisht nga Partia Progresive Serbe dhe Socialistët.

Për Qeverinë e re kanë votuar 157 deputetë, nga 250 sa janë në total.

Deputetet e opozitës kanë votuar kundër kabinetit të ri qeveritar, duke thënë se Qeveria e re është shumë e madhe dhe e shtrenjtë.

Gjatë adresimit të saj, Bërnabiç ka thënë se Qeveria e re planifikon të investojë 12 miliardë euro në projekte të energjisë, duke përfshirë gazsjellës dhe tubacione nafte, si dhe që të rrisë kapacitetet e prodhimit të energjisë.

Ajo ka thënë se Bashkimi Evropian përbën “destinacion strategjik” për Serbinë.

Gjatë fjalës së saj, Bërnabiç ka thënë se Serbia mbetet e përkushtuar për dialog me Kosovën, mirëpo “para marrëveshjeve të reja për normalizim, duhet të miratohen plotësisht të gjitha marrëveshjet e arritura në Bruksel”.