Targat, SHBA “kërcënon” Serbinë: Vendimi i Kosovës të zbatohet paqësisht!

Shtetet e Bashkuara të Amerikës "i tërheqin veshin" Serbisë lidhur me paralajmërimet e saj për tensione në veri të Kosovës lidhur me çështjen e targave. ShBA i bën apel Beogradit që vendimi i qeverisë “Kurti” të zbatohet në mënyrë paqësore, dhe të mos kontribuojë në rritje të tensioneve.

Shtetet e Bashkuara synojnë që vendimi i Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa serbe në Republikën e Kosovës të zbatohet në mënyrë paqësore, dhe të mos kontribuojë në rritje të tensioneve.

Kështu ka thënë një zëdhënës i Ambasadës amerikane në Prishtinë, në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

Mes tjerash, Ambasada ka thënë se SHBA-ja, bashkë me partnerët evropianë, besojnë se vendimi i Qeverisë së Kosovës është në përputhje me marrëveshjet e Brukselit, dhe në se në parim, nuk kanë mospajtime për të.

“Megjithatë, ne kemi kërkuar, bashkë me partnerët tanë ndërkombëtarë, një shtyrje dhjetëmujore për zbatim të vendimit”, është thënë në përgjigjen e Ambasadës.

Afati për riregjistrim të makinave në RKS ka nisur më 1 shtator dhe përfundon më 31 tetor.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë së fundmi se Kosova merr seriozisht sugjerimet e aleatëve ndërkombëtarë lidhur me shtyrjen e zbatimit të vendimit për targat.

Në këtë kuadër ai është shprehur se pala kosovare përveç se dëshiron që të respektohet rendi dhe ligji, gjithashtu mbetet e kujdesshme që të mos rrezikohet paqja dhe siguria.

Deri më tani, Qeveria e Kosovës ka thënë se afati tashmë është shtyrë një herë, dhe se nga 1 nëntori nuk do të mund të qarkullojnë më makinat me targa të lëshuara nga Serbia.

Këto targa konsiderohen të paligjshme nga autoritetet në Kosovë, mirëpo deri më tani janë toleruar në veri të Kosovës.