Vullnetarizëm për një familje të shëndoshë, çifti ndërton Qendrën për Zhvillimin e Familjes
Një çift bashkëshortësh në Laprakë është investuar në krijimin e një Qendre për Zhvillimin e Familjes, ku ofron këshillim falas për gratë dhe vajzat mbi vlerat e familjes dhe si duhet forcuar ajo.
Pegagogia Dr. Malvina Kaloshi Tafçiu ishte e ftuar sot në "Jeto me Orën" në Rtv Ora ku foli rreth këtij projekti.
"Duke e parë femrën si promotori i lumturisë së përgjithshme familjare kemi menduar sëbashku me tim shoq të ideojmë një projekt të tillë marr shkas dhe për faktin se po jetojmë në një tranzicion vlerash".
Lumturinë duhet ta kërkojmë te ato detajet e vogla që ne shpesh i nënvlerësojmë.
"Ne duhet të japim më të mirën nga vetja jonë në familje te komshija etj. Po shtroj pyetjen: Sa prej nesh mund të konsumojnë sëbashku një vakt ushqimor në familje? Cila ka qenë hera e fundit që ne kemi marrë një pjatë me ushqim të ngrohtë dhe ja kemi çuar komshiut? Sa prej nesh kemi menduar që një herë në javë apo në muaj do ta kaloj me familjarët dhe farefisin?Unë jam vetë e 6-ta fëmijë në familje dhe të gjithë i kam jashtë, 4 vëllezër dhe një motër. I gjithë farefisi im është jashtë. Shpesh vajza ime 7 vjeçe më pyet a ke ti kushërinj?"
Dr. Malvina Kaloshi Tafçiu thotë se ne çdo ditë vrapojmë pas gjërave që nuk janë aspak esenciale për ne.
"Ne mund të shohim në Instagram një çift të lumtur në dukje ndërkohë që ti e njeh mirë dhe ata janë në prag divorci. Nuk po bëjmë shpikje me projektin tonë, po mbledhim këto pjesëzat e vogla për të formuar tablonë. Nuk duhet ta shikojmë nënën apo gruan si bartësen që duhet ti bëjë të gjitha. Dhe burri dhe fëmija duhet të lajnë enët apo bëjnë punë të tjera".

