Mziu kërkon zgjedhjen e kandidatëve për kryebashkiakë me sondazhe dhe njohjen e peshës elektorale të aspiruesve

Partia Demokratike nxori sot udhëzimin për mbajtjen e primareve në Tiranë, Durrës dhe Elbasan.

I panjohur ende me rregulloren, deputeti demokrat Xhelal Mziu, aktualisht drejtues politik i PD për qarkun e Dibrës, thotë se ajo duhet të parashikojë raste përjashtimore për figura politike me peshë reale në elektorat.

Një prej tyre është dhe ai vetë me 30 mijë vota në zgjedhjet për bashkinë e Kamzës dhe 6 mijë vota në Dibër në zgjedhjet e fundit parlamentare.

"Besoj se do ketë dhe klauzola, udhëzimet nuk mund të jenë në të njëjtin rrafsh si për dikë që ka thjesht ambicie për të shkruajtur emrin dhe për të qenë konkurues si dikush tjetër që mund të sjellë fitoren. Persona të cilët janë ceritifikuar ndër vite apo kanë mandate që tejkalojnë edhe madhësinë e një bashkie apo qyteti duhet të jenë raste përjashtimore".

Duke marrë në konsideratë dhe përvojën si një ish-kryetar partie prej 20 vitesh apo kryetar bashkie prej 13 vitesh, ai thotë se  zgjidhja më e mirë në këto momente për përzgjedhjen e kandidatëve për kryebashkiakë do të ishte  një sondazh për të mos krijuar asnjë konflikt dhe për të pasur mjaftueshëm kohë.

"Formula më e mirë do të ishte tërheqja e ankimimit nga gjykata. Nëse nuk arrihet kjo ta konsiderojnë veten si dy subjekte politike, siç operohet aleatët e tjerë e njëjta gjë duhet të ndodhë dhe këtu. Mund të diskutohet cilat janë zonat në proporcion me mbështetjen. Unë do të bëja sondazhe, dihet kush është personi më i kuotuar dhe do gjehej zgjidhja. Pavarësisht zgjidhjes afati kohor është shumë i rëndësishëm. Nëse nuk zgjidhen kandidatët deri në dhjetor do të jetë shumë e vështirë për opozitën të marrë atë që i takon. Maksimumi fillimi i dhjetorit duhet të dalë lista me të gjithë kandidatët pëer të gjitha njësitë vendore të Shqipërisë" thotë ai.

Do bëhen me hartë të re apo të vjetër territoriale zgjedhjet, për Mziun synimi duhet të jetë fitorja e demokratëve.

"61 bashki, shpresojmë të shkojnë 92 por edhe me 61 bashki dihen kush janë personat më konkurues pavarësisht nëse janë me Berishën apo Alibeaj, që e çojnë demokratët e asaj zone apo opozitën e asaj zone drejt fitores".

Primaret nuk i sheh zgjidhje të krizës mes demokratëve por thellim të kësaj krize.

"Nuk e quaj një zgjidhje të mirë. Kam qenë kundër edhe në vitin 2020 kur ka qenë kryetar Basha dhe prodhuan një rezultat të padëshiruar, sepse ata që mendonin se ishin inferiorë i orientonin votat kundër kolegëve të tjerë. Unë jam kundër primareve, pasi duhet bërë një parakonkurrim dhe pastaj të gjendet një zgjidhje. Apo mund të jenë sondazhet se është gjithë opozita, të bëhet një sondazh selektiv me numra të caktuar brenda një zone të majtë dhe të djathtë kush mund të jetë personi më i kuotuar për të fituar bashkinë. Sondazhi është gjuha e qytetarëve".