Shpërdorim detyre dhe korrupsion, Rrumbullaku pezullon dhe përjashton disa efektivë policie
Policia e Shtetit ka reaguar ndaj atyre punonjësve të Policisë që abuzojnë me detyrën dhe që kryejnë vepra korruptive apo cenojnë të drejtat dhe liritë e qytetarëve.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Rrumbullaku ka marrë disa vendime për punonjës policie, në disa qarqe të vendit.
Konkretisht komisar Pashk Syziu, me detyrë Shef i Krimeve i Komisariatit të Policisë Devoll, është përjashtuar menjëherë nga Policia e Shtetit, për shkelje të Kodit të Etikës së Punonjësit të Policisë së Shtetit.
Ai është konstatuar në paligjshmëri administrative me detyrat e punonjësit të Policisë së Shtetit dhe ka kryer veprime arbitrare, në tejkalim të kompetencave ligjore, gjatë trajtimit të një çështjeje.
Inspektor B. Z., me detyrë Trupë Shërbimi në Seksionin e Forcës së Posaçme "Shqiponja", e DVP Dibër, është pezulluar menjëherë nga detyra dhe ndaj tij ka nisur hetimi disiplinor për tejkalim të kompetencave. Policia e Shtetit është në pritje të zbardhjes së vendimit të gjykatës, për ekzekutimin e menjëhershëm të tij.
Inspektor P. M., me detyrë Ndihmës kontrollor i Policisë Kufitare, në Portin e Durrësit, është pezulluar dhe është transferuar në një detyrë tjetër, pasi ka shkelur atributet dhe kompetencat e punonjësit të Policisë. Ka akuza se ish-punonjësi i Policisë, gjatë kontrollit të dokumentacionit të qytetarëve që udhëtonin drejt Italisë, ka kryer veprim korruptiv ndaj një shtetaseje, për ta lejuar që të kalojë kufirin.
Nënkomisar G. A., me detyrë Specialist i Shërbimeve Operacionale të Policisë Kufitare të Durrësit, është pezulluar menjëherë nga detyra, është kryer transferimi i menjëhershëm i tij, në një strukturë tjetër, jashtë qarkut dhe ndaj tij ka nisur hetimi disiplinor, pasi dyshohet se ka konsumuar elementë të veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Inspektor A. Sh., me detyrë Trupë Shërbimi i Policisë Kufitare të Durrësit, është pezulluar menjëherë nga detyra, është kryer transferimi i menjëhershëm i tij, në një strukturë tjetër, jashtë qarkut dhe ndaj tij ka nisur hetimi disiplinor, pasi dyshohet se ka konsumuar elementë të veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.

