Kardhiq-Delvinë, SPAK i njofton akuzat për të pandehurit
10 persona të tjerë janë vendosur nën akuzë nga SPAK për abuzimet në tenderin e rrugës Kardhiq-Delvinë. Ora News ka zbardhur emrat e zyrtarëve të cilët do të përballen me gjykatën në muajin nëntor pas dorëzimit të dosjes nga prokuroria. Kallëzimi u bë nga KLSH në vitin 2020 me pretendimin e një dëmi të shkaktuar shtetit prej mbi 5 milionë euro si pasojë e skualifikimit të ofertave.

Ora News zbardh emrat e zyrtarëve të Autoritetit Rrugor Shqiptar të akuzuar në dosjen penale Nr.175 për abuzimet në ndërtimin e lotit Nr.7 të rrugës Kardhiq-Delvinë.
Sipas dokumentacionit, rezulton se bëhet fjalë për 10 persona zyrtarë të ARRSH.
Mes të pandehurve janë Erdit Salillari, Elona Gogo, Simon Prendi, Admir Pahumi, Miranda Shkurti, Arbër Troka, Almir Hoxhaj dhe Arjana Hasani.
Të gjithë këta zyrtarë pritet që në fillim të muajit nëntor 2022, të përballen me gjykatën.
Prokurori i çështjes Altin Dumani, është duke vijuar hetimet në një procedim tjetër, ndaj Agron Hysës njërit prejt pronarëve të shoqërisë private “Vëllezërit Hysa”, financierit të kësaj kompanie Elton Musta dhe kompanisë tjetër të ndërtimit “Sulova Ndërtim Prodhim”.
Hetimi ndaj dy subjekteve dhe dy individëve është duke u zhvilluar për akuzën e “Falsifikimit të dokumentave”, pasi kanë dhënë raporte financiare në kryerjen e volumit të punimeve me të dhëna të rreme.
Gjatë hetimeve janë kryer disa kontrolle banesash të zyrtarëve të ARSH dhe tek ambjentet e zyrave të kompanisë “Vëllezërit Hysa”.
Kallëzimi ndaj zyrtarëve të ARRSH është bërë në SPAK në muajin shtator 2019 nga kompania “Gjoka Konstruksion”, e cila pretendoi se është përjashtuar në mënyrë të padrejtë nga kryerja e punimeve të rrugës Kardhiq-Delvinë.
Pas largimit të kompanisë “Gjoka”, vijimin e punimeve e mori kompania e “Vëllezërve Hysa” nga Belshi i Elbasanit dhe “Sulova Ndërtim Prodhim”.
Situata e ndryshimit të ekskluzivitetit të kompanive në ndërtimin e rrugës Kardhiq-Delvinë, solli një përplasje dhe mes klaneve brenda Partisë Socialiste.
Rruga Kardhiq-Delvinë përfundoi pjesërisht së ndërtuari me hapjen e këtij segmenti, në fillim të muajit qershor të këtij viti.
Ndërtimi pati një kosto financiare prej 60 mln euro.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.