PD: Rama hakmarrje politike ndaj Agron Shehajt, SPAK nëse mbyll sytë produkt i Soros

Përmes një daljeje nga selia blu, zëdhënësja e PD-së, Floriana Garo tha se kryeministri Edi Rama po hakmerret politikisht ndaj deputeti demokrat Agron Shehajt.

Ajo tha se Rama është kapur në vjedhë të rënda si ajo e bregdetit dhe incineratorëve, ndërsa është i verbuar nga hakmarrja e vjetër politike.

Ajo shtoi se nëse SPAK mbyll sytë nga frika e Edi Ramës, pastaj nuk kemi të bëjmë me shtet ligjor, me produkt të shëmtuar të reformës së George Soros.

Deklaratë e Partisë Demokratike, zëdhënësja Floriana Garo:

I kapur me vjedhje të rënda nga bregdeti për miqtë e tij, e deri tek inceneratorët me 430 milionë euro, Edi Rama është verbuar jo vetëm nga makutëria, por dhe nga hakmarrja e verbër politike.  Pas denoncimeve me fakte nga deputeti Agron Shehaj, ai së fundmi bllokoi, pa urdhër prokurorie dhe pa vendim gjykate, punën në biznesin e deputetit Shehaj, preteksti: “pse kish marrë zyra tek një ndërtim pa leje”.  

Dmth fajin për paligjshmërinë e ka qeraxhiu, dhe jo banda e Edi Ramës që ndërkohë fusin në burg njerëzit edhe për meremetime ballkoni.  Salillarin e tij me pallat pa leje, Edi Rama as nuk e burgosi e as i bllokoi biznesin, por i dha 8 milionë euro para publike vetëm muajin e fundit! Partia Demokratike dënon me forcën më të madhe aktin e hakmarrjes primitive të Edi Ramës ndaj deputetit të saj Agron Shehaj. Bllokimi i biznesit pa vendim gjykate është vepër penale dhe prokuroria nuk mund të rrije duarkryq kur vëren këtë shkelje ligji vetëm se keqbërësi quhet Edi Rama. 

Shteti ligjor duhet të veprojë! Duhen hetime dhe ndëshkime për shkelësit e ligjit dhe ndjesë publike dhe kompensim të drejtë për të dëmtuarin. Këtë kërkon shteti ligjor! Nëse SKAPI mbyll sytë nga frika e Edi Ramës, pastaj nuk kemi të bëjmë me shtet ligjor por me produkt të shëmtuar të reformes së George Soros!  Partia Demokratike kërkon zhbllokimin e menjëhershëm të biznesit të deputetit Shehaj dhe dëmshpërblim për humbjet e rënda që i ka krijuar mbyllja e paligjshme e biznesit të tij nga Edi Rama.