Me një zë të bukur dhe shpirt rebel si Xheisara, këngëtarja e zbulon për herë të parë: Kam qenë konviktore
Xheisara Frisku, këngëtarja e njohur shqiptare e muzikës pop, ishte e ftuar pasditen e sotme në "Jeto me Orën" në Rtv Ora.
Teksa vazhdon të ndajë jetën midis Shqipërisë dhe Anglisë, ajo tregoi se po e sheh këtë të fundit si mundësi për tu larguar përgjithmonë.
"Qëndrova tre javë, shkova për të mos u kthyer por punët më deshën të vija këtu. Jam midis Tiranës dhe Londrës për shkak të disa gjërave të mia personale. Një javë kam punuar atje, dy javë kam dalë dhe e kam shijuar, u ftoha. E shoh Londrën si mundësi por më duhet ti vë gjërat në vijë dhe po punoj për një ikje njëherë e mirë. Në Shqipëri më rikthen puna dhe pasioni për muzikën, do ta bëj dhe atje. Por edhe dashuria për Tiranën. Me pak fjalë nuk e di ku jam".
Ajo thotë se Londra dhe gjërat që po bën atje ja kanë marrë fokusin këto kohë.
"Londrën nuk do ta ndërroja për qetësinë shpirtërore që kam, kurse Tiranën për jetën, jeta e natës".
Në studion e "Jeto me Orën" ajo ndau shumë të pathëna rreth karrierës, jetës personale dhe pasioneve.
Si natyrë moskokëçarëse që është tërheqjen e veshit nuk ja beson askujt tjetër përpos asaj që e ka sjellë në jetë.
"Patjetër që dua të dëgjoj mendimin e mamit tim".
Flet me pasion për adoleshencën dhe periudhën studentore duke zbuluar për herë të parë se si studente ka jetuar për tre muaj në konvikt.

"Çfarë nuk kam bërë, nuk di çfarë të tregoj. Kur kam ardhur në fillim si studente kam qëndruar për tre muaj në konvikt të vajzave. Të gjithë atëherë të paragjykonin se ishte konviktore. Njëherë me shoqen e ngushtë Albinën zbresim te pallati i parë për të mos treguar se jetonim në konvikt. Të mendosh që ishte ora 4 e mëngjesit dhe do iknim me ato takat te dhoma".
Duke qenë e hapur merr dhe paragjykime.
"Thonë është mendjemadhe, ka shumë p**dhë, si bën di budallaçkë. Ngaqë jam shpirt i lirë më marrin për budallaçkë, por nuk jam".
Sa shpirt i lirë edhe e ndjeshme.
"Hera e fundit që kam qarë ishte të premten, isha te puna ime dhe po shikoja grupin si spektatore për herë të parë. Vetëm qaja".
E pyetur sa posesive është në një marrëdhënie, ajo shprehet:
"Jam shumë nevrike, ndonjëherë mendoj se ata që kam afër më durojnë nga halli se nuk kanë çfarë bëjnë".
Por dashuria kalon nga stomaku.
"Jam amvisë e shkëlqyer. Gatuaj shumë mirë, përdor pak kalori. I kam shpikur vetë. Rri në shtëpi, dhe nëse nuk dal gatuaj. Pjata e preferuar është pula me jufka ose qull, mish, unë ha shumë mish".
Një tjetër pasion që jeton brenda saj duket se është aktrimi.
"Kam qejf të marr pjesë në ndonjë film si aktore. Kam një ndjesi që mund të isha një aktore shumë e mirë".
Lajmi më i mirë që ka marrë së fundmi është se do bëhet teze.
"Do bëhem teze sërish, shoqja ime e ngushtë është shtatzënë dhe shpresoj ta ketë gocë".
Xheisara foli dhe për problemet me fytyrën.
"Unë jam superyll. Unë kam pasur shpesh probleme me fytyrën dhe aknet. Së fundi i kam kuruar dhe po kthehem në normalitet. Pjesa tjetër është në rregull. Përveç buzëve, jam si më ka bërë mami".
E pyetur se ku e sheh veten pas 20 vitesh ajo jep këtë përgjigje.
"E shoh veten duke tundur ndonjë çilimi, ndërsa pas 10 vitesh e shoh veten më të formuar dhe aty ku kam dashur që kur e nisa. Të kem krijuar imazhin që kam kërkuar, të kem bërë këngët që kam dashur dhe të kem një koncert recital pse jo".
Në studion e "Jeto me Orën" ajo foli dhe për projektin e fundit të saj të lançuar në verë, këngën "Fijet e zemrës" të cilën e solli në bashkëpunim me Krenar Seitin, i dyti në karrierën e saj si këngëtare.
Xheisara paralajmëroi edhe bashkëpunime të tjera që ka dëshirë dhe pret ti realizojë me artistë të tjerë të tregut muzikor shqiptar.
