Rrjedhje gazi nga cisternat në Porto Romano, banorët e frikësuar (Video)
Një rrjedhje gazi pranë një subjekti privat ka shkaktuar alarm dhe panik në zonë. Atje ndodhen mijëra tonë gaz i depozituar, ndërsa banorët sapo kanë marrë njoftimin kanë dalë në rrugë të tronditur.Mësimi u ndërpre në një shkollë aty pranë, ndërsa banorët apeluan për një zgjidhje urgjente nga ana e qeverisë për këtë situatë.
"Na lajmëroi Drejtori. Çohuni ikni, na tha, se ka plasur gazi! U trembën të gjithë, nuk kishte njeri që nuk i dridheshin duart, qanin."
Kështu nisi paniku në Porto Romano të Durrësit, mesditën e së mërkurës (26 tetor 2022), teksa u njoftua për rrjedhje gazi në një subjekt privat.
Duke qenë se në zonë ndodhen të magazinuara mijëra ton gaz, të frikësuar banorët thonë se u tronditën nga njoftimi.
"Nëse shteti nuk vë dorë me e heq rreziku është i jashtëzakonshëm, nuk ka shpëtim askush."
Ata që kanë shtëpitë ngjitur me botet e gazit, thonë se ka vetëm dy rrugë që duhet ndiqen nga institucionet e shtetit.
"Shteti të na largojë ne ose të hiqet fabrika! O të ikë kjo, ose ne! Dy rrugë ka."
Të revoltuar edhe për shkak se pranë zonës ndodhet një shkollë, ata deklaruan se pavarësisht thirrjeve të tyre të vazhdueshme askush nuk ka marrë masat e duhura.
"Kemi bërë protesta, kemi lajmëruar të gjithë institucionet, te bashkia kemi shkuar."
Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial tha në një sqarim për publikun se rrjdhja e gazit ne Porto Romano ka ndodhur nga boti furnizues, ku ka pasur probleme valvula, ndërsa mohuan problemet me depozitat e instaluara.
Banorët e Porto Romanos në Durrës kanë protestuar disa herë për vendosjen e çisternave të gazit në zonën e tyre.
Njoftimi i policisë për ngjarjen
Rreth orës 12:30, në Porto Romano, dyshohet se si pasojë e dëmtimit të një cisterne gazmbajtëse të një biznesi (firmë) privat, është çliruar në ajër, një sasi e vogël gazi.
Nga kjo ngjarje nuk ka shtetas të dëmtuar.
Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.



