Tre të vdekur në pak orë në aksidente, dy viktima në Lushnje, një në Fushë-Krujë
Tre viktima janë shënuar në rrugët e Shqipërisë të mërkurën.Një 60-vjeçar ka humbur jetën në Lushnje të mërkurën pasi është përplasur nga një mjet bujqësor. Ndërkohë po në zonën e Lushnjes një 50-vjeçare humbi jetën në një aksident tjetër me motoçikletë, ndërsa një 20-vjeçar vdiq në një aksident tragjik në Fushë-Krujë. 884 aksidente janë shënuar në vendin tonë në 9 muaj me 1257 të vdekur dhe të plagosur.
Tre persona kanë humbur jetën të mërkurën në aksiente rrugore të ndara nga njëri-tjetri në rrugët e vendit.
Në autostradën Lushnje-Fier ka mbetur i vdekur një 60-vjeçar. Mësohet se Qemal Shala po udhëtonte me motoçikletën e tij, kur është goditur nga një mjet bujqësor, ndërsa pavarësisht se 60-vjeçari kishte kasë mbrojtëse të vendosur në kokë, goditja ka qenë e fortë dhe ai ka ndërruar jetë për shkak të plagëve të marra.
Ekspertët dhe policia në vendngjarje po punojnë për të zbardhur rrethanat e aksidentit ku humbi jeten Shala.
Ndërkohë që drejtuesi i mjetit bujqësor Josif Pina, është vënë në prangat e policisë deri në sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit.
Po sot një 50-vjeçare që drejtonte motoçikletën ka gjetur vdekjen në rrugën rurale Krutje-Bubullimë.
Afërdita Rasti, banuese në Kallm të Fierit ka humbur kontrollin e motomjetit, duke rënë në kanalin anësor prej betoni në anë të rrugës.Si pasojë e goditjes së fortë ajo ka gjetur vdekjen e menjëhershme.
Në Fushë-Krujë ka humbur jetën 20-vjeçari, Mirjan Tema.
Ai po udhëtonte sëbashku me mikun e tij Haxhi Vraja 20 vjeç, në një mjet tip "Smart", ndërsa makina ka dalë nag rruga duke përfunduar në lumin Zezë.
Paraprakisht mësohet se aksidenti i rëndë ka ndodhur për shkak të shpejtësisë dhe një kthese të fortë në rrugë.
Në Shqipëri numri i aksidenteve të rënda vijon të jetë problem.
Nga janari deri në fund të shtatorit të këtij viti janë shënuar në rrugët e vendit 884 aksidente rrugore, me 1257 të vdekur dhe të plagosur.
Numrin më të madh të aksidenteve vijon ta mbajë Tirana ku në 9 muaj janë shënuar 400 aksidente, e ndjekur nga Lezha me 123 aksidente dhe Gjirokastra me 58 të tilla, ndërsa numrin më të ulët nga janari në shtator e ka pasur qarku i Dibrës me 5 aksidente rrugore.
