PD nis në Kuvend dy kandidaturat për Avokatin e Popullit, Ledio Braho dhe Dorian Gjonmarkaj

Partia Demokratike përmes kreut të grupit parlamentar, Enkelejd Alibeaj, ka propozuar në Kuvend emrat e dy kandidatëve për postin vakant të Avokatit të Popullit.

Ledio Braho dhe Dorian Gjonmarkaj janë dy emrat për të cilët deputetët mbështetës të Alibeaj kanë dhënë dakordësinë.

Më tej Alibeaj vuri në dukje se për përzgjedhjen e dy kandidatëve u bazua mbi disa kritere që kishin të bënin me pastërtinë e figurës, profesionalizmin dhe më kryesorja të mos kenë qenë pjesë e ish-sigurimit të shtetit.

Enkelejd Alibeaj: “Një nga kriteret kryesore të cilët ne kemi ndjekur në keto perzgjedhje ka qenë, ajo e pastërtisë së figurës. Një kriter tjetër ishte i aftësisë profesionale, për shkak të detyrave që ai ka, mbrojtes së lirive dhe të drejtave themelore të njeriut. Kandidati të mos ketë lidhje me sigurimin e shtetit dhe me diktaturën komuniste”

Por pavarësisht propozimit të dy emrave, avokati Ledio Braho mbetet preferenca e demokratëve.

Enkelejd Alibeaj:“Ju deklaroj se preferenca e grupit parlamentar te partisë demokratike për Avokat të Popullit të Republikës së Shqiperisë është zoti Ledio Braho”

Kuvendi ka nisur procedurën për zgjedhjen e Avokatit të Popullit pasi prej muajit Maj mandati 5-vjeçar i Erinda Ballancës ka përfunduar.

Zgjedhjaa e Avokatit të ri të Popullit kërkon votat e të paktën 84 deputetëve.