Prokuroria regjistron procedim penal për vdekjen e Lear Kurtit, në hetim policët dhe mjekët

Jo vetëm policët që e shoqëruan, por edhe mjekët e urgjencës së Spitalit të Traumës, po hetohen nga prokuroria për vdekjen e Lear Kurtit. Në një deklaratë grupi i hetimit tha se ka hapur dosje ndaj policëve për veprime arbitrare ndërkohë që krimi i dytë për të cilin po hetohet është mosdhënia e ndihmës, jo vetëm nga policët por edhe nga mjekët të cilët një ditë pas ngjarjes pretenduan se 32-vjeçari kishte shkuar pa jetë në spital.

Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet ndaj policëve dhe mjekëve për vdekjen e 32-vjeçarit Lear Kurti.

Në një deklaratë grupi i hetimit theksoi sot se ka vendosur regjistrimin e procedimit penal për “Kryerjen e veprimeve arbitare” dhe “Mosdhënie ndihmë”,  parashikuar nga nenet 250 dhe 290 e K.Penal, për ngjarjen e rëndë të ndodhur me të riun që humbi jetën pasi u ndalua nga patrullat e policisë në rrugën “Don Bosko”, Tiranë mesnatën e 19 tetorit 2022.

Prokuroria thotë se hetimet për çështjen kanë nisur mbi bazën e referimit të Drejtorisë Rajonale të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore Tiranë.

Veprat penale dhe rrethanat që referon njoftimi i prokurorisë, përfshijnë në hetim edhe mjekëve e Spitalit të Traumës, i cili një ditë pas ngjarjes, theksoi se 32-vjeçari kishte mbërritur aty i vdekur.

Por organi i akuzës e rrëzon indirect këtë pretendim kur thotë në njoftimin e publikuar se  në vijim të veprimeve të tjera, me qëllim evidentimin e të gjitha rrethanave dhe shkaqeve të vdekjes së shtetasit Lear Kurti, do të administrojë pamjet filmike të urgjencës në Qendrën Spitalore të Traumës, pyetjen e personelit infermiero/mjekësor që kanë pritur dhe janë marrë me trajtimin e shtetasit Lear Kurti si dhe çdo veprim tjetër për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje.

Prokuroria fajëson edhe policët që kanë dërguar të ndaluarin në komisariar ndërkohë që ai nuk ndjehej mirë dhe duhej dërguar direkt në spital.

"Mendohet se para se të gëlltiste qesen me lëndë narkotike dyshohet se ka marrë një sasi me lëndë narkotike dhe qesja që ka gëlltitur i ka shkaktuar overdozë. Por do të jenë rezultatet e ekspertizës që dalin pas dy javësh që konfirmojnë shkaqet e vdekjes" informoi sot gazetarja e Ora News, Keti Banushi.

Deri në këtë fazë grupi i hetimit ka administruar kartelën mjekësore e shtetasit Lear Kurti, procesverbalin e kqyrjes së kufomës, pamjet filmike të regjistruara nga kamerat e sigurisë që nga momenti i konstatimit dhe deri në dërgimin e tij për ndihmë mjekësore pranë Qëndrës Spitalore Universitare e Traumës.

Prokuroria ka pyetur në cilësinë e personave që tregojnë rrethana të hetimit, shtetasit që kanë qenë prezent me viktimën dhe të gjithë punonjësit e policisë që kanë kryer veprime me shtetasin Lear Kurti.

Në vazhdim të hetimeve, është administruar akti i ekspertimit kimik i kryer nga një grup prej 5 (pesë) ekspertësh, nga i cili ka rezultuar se në mbetjet e qeses së gjetur në stomakun e viktimës gjatë kryerjes së autopsisë, ka prani të lëndës narkotike kokainë.

Tre efektivë janë pezulluar deri tani për vdekjen e Lear Kurtit mbrëmjen e 19 tetorit 2022.