Pogradec, banorët e Gurasit në protestë, firma dëmtoi rrugën dhe bëri punime të dobëta

Dhjetëra banorë të fshatit Guras të Pogradecit kanë protestuar të hënën pasi rruga e fshatit është dëmtuar nga një firmë ndërtimi. Sipas banorëve firma e ka shkatërruar rrugën, ndërsa ata kanë hedur një shtresë të dobët asfalti.

Banorët e fshatit Guras në Pogradec kanë dalë në protestë këtë të hënë duke bllokuar qarkullimin e mjeteve rrugën kryesore.

Shkak për këtë protestë të banorëve është bërë gjendja e rrugës.

Aksi u prish pak muaj më parë si pasojë e punimeve për shtrimin e rrjetit të ujrave të përdorura. Por sipas banorëve firma e cila ka zbatuar punimet, rikthimin e rrugës në gjendjen e mëparshme e ka bërë pa cilësi dhe jashtë çdo stadardi rrugor.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

"Rruga është bërë copë-copë. Kemi dy vjet që presim që rruga të shtrohet. U shtrua rruga dhe ja ku është fakti i rrugës së shtruar. nuk mund të durojmë më. Ata vijnë dhe tallen. Asfalti ishte për të hedhur 15 pontë, ata kanë hedhur 2 pontë. Shikojë doli pa u mbaruar akoma rruga.

Vijnë ata të firmës dhe thonë: Ne kaq e kemi detyrim, ta rikthejmë në gjendjen e mëparshme. Kjo është gjendja e mëparshme?! E kishim shumë mirë. Osë le ta linin me dhe. Të paktën me një dorë dhe mbushim gropën, kurse kështu, në këtë gjendje që është, është katastrofë.

Shikoje si e kanë bërë. Me dorë hiqet," thonë banorët.

Banorët thonë se nëse nuk do të ketë zgjidhe dhe rruga nuk kthehet si më parë, protestat nuk do të ndalen.

"Nuk e hapim rrugën ne derisa të vijë bashkia e të thotë: Mbajmë përgjegjësi ne për rrugën, ta pranojë bashkia," tha një prej tyre.