Vdekja e Lear Kurtit, Meta: Qeveria dhe policia duan ta trajtojnë si ngjarje të zakonshme për të fshehur krimin
Kryetari i PL-së akuzon Policinë e Shtetit për manipulimin e provave dhe rrethanave të vdekjes së 33 vjeçarit Lear Kurti.
Ilir Meta i shtron disa pyetje publike këtij institucioni duke marrë shkas dhe nga ndryshimi i versionit të vdekjes së të riut në kryeqytet.
"Cila është arsyeja që policia deklaroi që i riu vdiq në spital, pse nuk u transportua direkt në spital për të marrë ndihmën mjekësore?
Pse u ndryshua versioni nga sëmundje zemre në epilepsi e më pas te ‘gëlltitja e qeses’?" tha ai.
Ky nuk është rasti i parë sipas Metës, që efektivët e policisë janë përfshirë drejtpërdrejt në vdekjet e qytetarëve në rrethana të paqarta.
A ka pasur prezencë të përfaqësuesit ligjor të familjes gjatë autopsisë? A është marrë miratimi i familjes për kryerjen e autopsisë?
A janë parë kamerat e zonës për veprimet e personit dhe të patrullës?”, deklaroi Meta
Në vëmendje kreu i PL solli edhe disa nga ngjarjet më të bujshme që kanë rezultuar fatale, për vdekjen e të cilëve, sipas tij është policia e Ramës.
"Qeveria dhe policia e Ramës po përpiqet ta trajtojë si një ngjarje të zakonshme për të mbuluar një krim flagrant shtetëror. Ishte policia e Ramës që shkaktoi vetëvrasjen e 31-vjecarit Ilvi Meta në paraburgimin e Kavajës.
Ishte policia e Ramës ajo që vrau 27-vjeçarin Enea Ftoi, babain e tre fëmijëve në Komisariatin e Korçës.
Ishin policët e Ramës që i morën jetën vogëlushes Joniada Avdiaj në Himarë," tha ai.
Për të parandaluar vrasjet e qytetarëve, kryetari i PL-së kërkon largimin e kryeministrit dhe ministrit të brendshëm.
"Kjo situatë kriminale që ka mbështetës dhe frymëzues Edi Ramën ka vetëm një zgjidhje: Largimin e menjëhershëm të Ramës, Ministrit të Brendshëm Çuçi si përgjegjësit kryesorë të krimeve shtetërore të përsëritur," tha ai.
