Banorët e Kurbinit në protestë, kundërshtojnë zënien e tokave për rrugë dytësore

Banorët e fshatit Prozhem në Fushë-Milot kanë protestuar për të disatën herë, duke kundërshtuar një projekt për një rrugë dytësore që kalon mes për mes tokave të tyre.

Zbatimi i projektit për rrugët dytësore pas mbylljes që do ju bëhet hyrje daljeve të autostradës Durrës-Kukës, ka ngritur serish në protestë banoret e fshatit Prozhem në Fushë-Milot të Kurbinit.

Ata kundërshtojnë projektin e   Autoritetit Rrugor Shqiptar, pasi sipas tyre është bërë pa konsultimin me ta dhe ju dëmton tokën bujqësore me të cilën e kanë të varur jetesën.

“Ka ardhur për të dëmtuar tokat tona bujqësore. Ne kundërshtojmë këtë projekt. Asnjë fshatar nuk është pyetur.”

“Ata kanë mënyra të tjera për të bërë rrugë.”

Kërkojnë që rrugët dytësore të ndërtohen në gjurmët e atyre ekzistuese, ndërsa akuzojnë policinë se ka vepruar dhunshëm ndaj tyre.

“Doni të më merrnin me zor në polici së nuk i lëmë të punojnë.”

Puna për ndërtimin e rrugës dytësore në zonën e Fushë-Milotit ka nisur prej vitit 2017, por në disa vende punimet janë bllokuar për shkak të rezistencës së banorëve, të cilët nuk kanë lejuar firmën që të prekë pronat e tyre.