"Kush jep më shumë shpallet fitues" Tenderi 1.7 milionë euro, skualifikohen ofertat më të ulëta
Qeveria vijon të miratojë tendera problematikë përmes procedurave që krijojnë hije dyshimi për abuzim me përzgjedhjen e kompanive fituese. Një tender i tillë duket se është dhe ai i miratuar së fundmi, ku për të shpallur fitues tenderin e hapur nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, janë skualifikuar dy kompani me ofertat më të mira.
Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka shpallur fituesin e një tjetër tender të dyshimtë. Bëhet fjalë për procedurën prej 2 miliardë lekësh, ose rreth 1.7 milionë eurosh, për instalimin e fotovoltaikëve dhe llampave LED në ndriçimin rrugor dhe në disa zona publike.
Nga 5 kompani që kanë marrë pjesë në këtë tender, 3 prej tyre janë skualifikuar.
Sipas dokumenteve të tenderit, 2 nga 3 kompanitë e skualifikuara janë ato që kanë paraqitur ofertën më të ulët, ndërsa fituese është shpallur oferta e tretë më e mirë. Konkretisht, tenderin e kanë fituar bashkimi i operatorëve “HTM” dhe “BE – IS”, të cilët kishin ofruar 20 mijë euro më shumë se oferta më e ulët.
Kompania fituese ka kërkuar sa 79% të vlerës së tenderit për të kryer punën për një afat kohor prej 2 vitesh.
Në verifikimet e bëra nga Open, kjo procedurë është vlerësuar me flamurin e kuq, pasi janë skualifikuar operatorët konkurrues dhe fituesi nuk është operatori me ofertën më të ulët. Për më tepër, në dokumentet e tenderit nuk specifikohet emërtimi i saktë i vendit se ku do të zbatohet projekti.
