Rritja e çmimeve shton të ardhurat në arkën e shtetit
Në Shqipëri të dhënat e fundit të Ministrisë së Financave raportojnë se në buxhetin e shtetit u arkëtuan 425.7 miliardë lekë në 9 mujorin e parë të këtij viti. Për shtatorin, u arkëtuan rreth 49 miliard lekë. Shpenzimet në këto muaj arritën në vlerën e 411 miliard lekëve. Ndërsa niveli i sufiçitit buxhetor për 9 muaj rezultoi në rreth 15 miliard lekë.
425.7 miliardë lekë janë arkëtuar në buxhetin e shtetit në 9 muajt e parë të vitit, duke shënuar rritje me 15.7% ose rreth 58 miliardë lekë më shumë krahasuar me vitin e kaluar.
Sipas të dhënave të publikuara së fundmi nga Ministria e Financave, pas ngadalësimit të ardhurave në korrik, në shtator u arkëtuan në buxhet gati 49 miliard lekë, duke u rritur me 13.7% në krahasim me shtatorin e 2021.
Të detajuara nga këto të dhëna, kontributin në rritje e kanë dhënë të ardhurat e arkëtuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, përfshirë edhe kontributet e mbledhura edhe nga DPT ku u vlerësuan në masën e 380 mld lekë, afërsisht 61 miliard lekë më shumë se e nëjtja periudhë e vitit të kaluar.
Por ajo që evidentohet nga raporti i INSTAT është rënia e sasisë së produkteve që kanë hyrë në Shqipëri, por për shkak të rritjes së çmimit të tyre, kanë ndikuar drejpërdrejtë në rritjen e të ardhurave në buxhet.
Në këto 9 muaj, pavarësisht se INSTAT raporton se ka një rënie të konsumit, të ardhurat tatimore nga TVSH neto, tatimi mbi fitim, tatimi mbi të ardhurat personale etj, u arkëtuan në buxhetin e shtetit në masën e 215.5 miliardë lekëve.
Të ardhurat nga akciza janë realizuar në masën 39.4 miliardë lekë, ndërsa nga renta minerare në eksport janë depozituar në buxhet 3.3 miliardë lekë.
Taksat doganore kanë kontribuar në buxhetin e shtetit në vlerën e 6.3 miliardë lekëve.
Në kalkulimet e Ministrisë së Financave, arrihet në konkluzionet se shpenzimet e përgjithshme publike për periudhën 9 mujore të vitit 2022, arritën në rreth 411 miliard lekë.
Niveli i sufiçitit për periudhën 9 mujore të vitit 2022 rezultoi në rreth 15 miliardë lekë nga rreth 18 milion lekë defiçit i planifikuar.
