Biznesi kundër paketës fiskale: Ka në fokus gjobat, jo lehtësirat

Shoqatat e biznesit janë shprehur kundër miratimit të paketës fiskale për vitin 2023 pasi sipas tyre, ekonomia ka nevojë për ndërhyrje radikale. Sipas tyre në këtë paketë ka studime të përcipta ndërsa qeveria duhet të fokusohet te ndihma dhe jo te gjobat.

Ekspertë të sektorëve të ekonomisë shprehen njëzëri se paketa fiskale për vitin 2023 nuk mjafton dhe se ekonomia ka nevojë për ndërhyrje radikale. Disa prej këtyre hapave që duhen ndërmarrë përfaqësuesit e biznesit ia kanë paraqitur Qeverisë.

Çështja kryesore mbetet TVSH, ku shoqatat e biznesit kërkojnë një rimbursim të menjëhershëm të rasteve të prapambetura për të vijuar në heqjen kufirit për importin e makinerive të cilat përdoren për investim dhe gjithashtu edhe heqjen e akcizës së gazit.

Unifikimi i akcizës së birrës për ekspertët konsiderohet propozim i pastudiuar mirë dhe sipas tyre, mund të dëmtojnë biznesin e pordhuesve.

"Prodhues vendas që kanë investuar gati 100 mln euro në gjithë Shqipërinë dhe klanë mbi 2000 vetë me gjithë shpërndarësit, ku do të shkojnë të gjithë këto njerëz, që është një falimentim i sigurt në këtë formë. Në këtë pikëpamje ne e shohim fare të paarsyeshme që në vend që të merremi me punën fiskale që është gati gjysma e Akcizës dhe ta ulim atë, ne merremi me dyfishimin e saj. Ndërkohë që ne kemi marrë borxhe e masa financiare vetëm që të mbajmë bizneset tona," tha Stefan Pinguli.

Shoqata e ndërtuesve parashtroi heqjen e taksës 3% për banesat sociale si dhe heqjen e taksës së dherave.

"Po në këto masa është edhe taksa e dherave që është e jahstëligjshme në kundërshtim edhe me vendimet e direktivës europiane dhe të Këshillit të Ministrave," tha Luigj Aleksi.

Biznesi kërkoi edhe heqjen e taksës së qarkullimit në çmimin e karburantit e cila është 27.1lekë për litër. Kjo përbën kosto për industrinë e ndërtimit për shkak të makinerive si dhe pajisjet stacionare që funksionojnë me karburant.