Testi i fundit për pedagogët, kërkojnë mbështetjen e studentëve dhe opozitës
Pas 3 ditësh bojkot, pedagogët kanë thirrur protestë kombëtare ditën e enjte. Organizatorët kanë kërkuar mbështetje edhe nga studentët dhe opozita për realizimin e kërkesave të tyre. Ndërkohë studentët në disa fakultete deklarojnë se kanë zhvilluar mësim këtë të mërkurë.
Në ditën e tretë të bojkotit të auditoreve, pedagogët që protestuan ishin më të paktë në numër, ndërsa shumë studentë nga universiteti politeknik shprehen se kanë zhvilluar mësim.
"Të vetmet gjëra që na kanë thënë është se javën tjetër do të rregullohen gjërat akoma më shumë dhe do të bëhet mësim rregullisht. Të shpresojmë," tha një studente.
Edhe tek Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë është zhvilluar mësim.
"Për sot kemi bërë vetëm një prezantim të lëndës "Hyrje në Gjuhësi", por akoma nuk kemi bërë mësim. Po presim një profesor," thonë studentët.
Edhe në fakultetin e Mjekësisë është zhvilluar mësim.
"Kemi bërë mësim sipas orarit, dy orë," tha një studente.
Përfaqësues të sindikatës së punonjësve të universiteteve patën një përgjigje edhe për Kryeministrin Rama që sic thonë i shantazhoi me veting.
"Kryeministri ta bëjë vetingun që nga ne anëtarët e sindikatës, fillojë që nga en të parët. Pastaj të kalojë në plan të dytë edhe veten e vet dhe të gjithë qeveritarët e tjerë," tha një prej tyre.
"Nxjerrja e preteksit të vetingut në këtë moment tregon një frymë shantazhi të kryeministrit ndaj nesh, sidomos drejtuesve të arsimit të lartë publik," tha kreu i sindikatës Aleksander Kovaçi.
Përveç universitetit në Vlorë, e gjallë protesta u mbajt edhe në disa rrethe, ku pedagogët po ashtu folën për presione.
"Si duket pedagogët janë skeptik, kanë frikë, janë dyshues mes faktin të protestojnë e bojtkotojnë apo jo," tha një pedagoge.
Nisur nga kjo situatë ata lajmëruan zhvillimin e një proteste kombëtare.
"Nesër ora 11:00 do të zhvillohet protestë kombëtare në formën e bojkotit total, përpara godinës së korpusit qendror," tha Ardian Isufi, përfaqësues i Sindikatës.
Mbështetje presin edhe opozita.
"Ne pranojmë mbështetjen e çdo shqiptari që është i ndërgjegjësuar, edhe i pozitës, edhe i opozitës," tha Kovaçi.
"Kjo është opozita e vërtetë. Pedagogët janë opozita e vërtetë. Kështu që mos të bëjnë deklarata standarde, por të japin sidomos në parlament mbështetjen sa i takon aksionit tonë," tha Isufi.
E enjtja pritet të jetë dhe testi përfundimtar i qëndresës së pedagogëve, ku do të vendoset dhe fati i rebelimit të tyre i cili deri tani ka hasur në veshin e shurdhër të qeverisë.
