Pezullimi i vizave për shqiptarët, Ministria e Jashtme reagon pas dy ditësh: S’ka asnjë plan
Qeveria shqiptare kujtohet pas dy ditësh për të reaguar ndaj propozimit të Çekisë që mban dhe presidencën e Bashkimit Evropian, e cila ka sugjeruar rikthimin e vizave për Shqipërinë e Serbinë, pasi janë kthyer në portë hyrëse për klandestinët e lindjes drejt BE-së. Edhe pse dokumenti është publikuar në uebsitin zyrtar të Shengenit, Ministria e Jashtme shqiptare thotë se kjo nuk është e vërtetë.
Ministria e Punëve të Jashtme ka reaguar sot mbi lajmin që qarkullon prej disa ditësh për pezullimin e vizave në Shqipëri.
Përmes një deklarate, ministria i ka hedhur poshtë këto "lajme të pavërteta", siç i cilëson ajo.
Ministria thotë se nuk ka asnjë plan, iniciativë apo dokument nga ndonjë vend anëtar i BE-së për mundësinë e pezullimit të vizave për qytetarët shqiptarë.
Deklarata e Minsitrisë i referohet propozimit të disa ditëve më parë të qeverisë çeke që sugjeroi heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë dhe ata serbe dhe për të cilin ka dhe dokument konkret për këtë propozim.
Sipas uebsitit zyrtar të Shengenit, referuar dokumentit të autoriteve çeke, si Shqipëria ashtu edhe Serbia nuk kanë bërë asnjë përpjekje për plotësimin e kushteve të BE-së për lëvizjen e lirë.
Kërkesa e palës çeke vjen si pasojë e hyrjes së një numri të lartë emigrantësh duke përdorur Shqipërinë dhe Serbinë si portë hyrëse në Evropë.
Referuar qeverisë ceke, Shqipëria dhe Serbia nuk kanë arritur të përmbushin kriteret për të zbatuar një listë për heqjen e vizave me BE dhe seleksionimin e personave dhe pse këto dy vende gëzojnë lëvizjen e lirë.
Mirëpo mosfunksionimi dhe dështimi i autoriteteve për të parandaluar këtë dyndje ka shkaktuar rritjen e numrit të migrantëve të parregullt që hyjnë në BE përmes këtyre dy vendeve.
Agjencia evropiane SchengenVisaInfo.com shkruan se numri i shtetasve kubanë, indianë dhe turq që vijnë përmes këtyre dy vendeve për të kërkuar azil në Bashkimin Evropian është në rritje, ndaj çështja ka nxitur bisedimet për pezullimin e udhëtimit pa viza në Ballkanin Perëndimor.
Shumë qytetarë të Afganistanit dhe Sirisë rreth 60,000 u përpoqën të hynin në BE në mënyrë klandestine në periudhën janar-gusht të këtij viti.
Ndërkohë, numri i personave që vijnë nga Ballkani Perëndimor nga këto vende është rreth 17 mijë persona.
“Shtetasit indianë po mbërrijnë në mënyrë të parregullt në BE përmes Ballkanit Perëndimor.
E njëjta gjë vlen edhe për shtetasit kubanë. Për sa u përket tunizianëve dhe turqve, ardhjet po rriten ndjeshëm në rrugën e Ballkanit Perëndimor ndërsa janë në rënie në rrugët e tjera”, thuhet ne dokument.
Problemi i Ballkanit Perëndimor vjen shtatë vjet pas të ashtuquajturës krizë emigrantësh të vitit 2015, kur më shumë se 1 milion refugjatë hynë në mënyrë të parregullt në BE, shumica e tyre nëpërmjet Evropës Juglindore.
