Dhunë në Shtëpinë e Fëmijëve/ Hetohen drejtorja dhe psikologia në Sarandë, pezullohet polici
Shtëpia e Fëmijëve në Sarandë vjen sërish në qendër të akuzave se fëmijët aty dhunohen. Drejtorja dhe Psikologia e këtij institicioni janë vënë nën hetim, ndërsa një polic u pezullua pas denoncimit nga një i mitur për keqtrajtim. Një skandal i ngjashëm u denoncua edhe në shtator.
Sërish skandal dhune dhe abuzimi në Shtëpinë e Fëmijëve “Vangjel Pula” në Sarandë.
Drejtorja dhe psikologia e këtij institucioni përkujdesi janë vënë nën hetim për veprat “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Keqtrajtimi i të miturit”.
Stela Dako, 58 vjeçe dhe Raviola Beqiraj 29 vjeçe dyshohen se kanë keqtrajtuar fëmijë të mitur që qëndrojnë ose kanë qëndruar në Shtëpinë e Fëmijës në Sarandë.
I përfshirë në këtë skandal dhune ndaj të miturve të lënë nën kujdesin e institucioneve të Shtetit, rezulton edhe një punonjës i Policisë.
Alfred Shumbuli, trupë shërbimi në Komisariatin e Policisë Delvinë akuzohet se ka keqtrajtuar të mitur rezidentë në Shtëpinë e fëmijëve në Sarandë.
Polici është pezulluar nga detyra, ndërkohë që Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit, për nisjen e hetimit disiplinor.
Skandali i dhunës dhe keqtrajtimit të fëmijëve në Shtëpinë e Fëmijëve në Sarandë u denoncua në një emission investigative, nga një i mitur resident në institucion duke detyruar nisjen e hetimeve.
Kjo është hera e dytë në harkun e 1 muaji që ky institucion, vihet në qendër të akuzave për dhunë dhe keqtrajtim të fëmijëve.
Në Shtator, dy edukatore u vunë nën akuzë pas denoncimit të një nëne nga Tirana se i kishin dhunuar tre fëmijët e saj të mitur që trajtoheshin në Shtëpinë e Fëmijëve në Sarandë.
Ndër vite në Shtëpitë e Fëmijëve dhe institucionet të tjera të kujdesit ndaj të pamundurve janë zbuluar disa raste të rënda të abuzimi dhe keqtrajtimi.