Berisha: PD e vendosur për protesta të fuqishme kundër qeverisë
Partia Demokratike deklaron se qeveria po stimulon haptazi aktivitetin kriminal të pastrimit të parave përmes aferave korruptive të incineratorëve. Kreu i demokratëve Sali Berisha shprehu vendosurinë e PD-së për t’iu rikthyer protestave të fuqishme kundër qeverisë.
Për demokratët qeveria po stimulon haptazi aktivitetin kriminal të pastrimit të parave përmes aferave korruptive të incineratorëve.
Kjo sipas kryetarit të grupit parlamentar të PD-së, Luçiano Boçi është arsye e fortë pse raporti i komisionit evropian ka kërkuar rishikimin e skemës së financimit të inceneratorëve.
Luçiano Boçi: Kam kërkuar rishikimin e skemës së incineratorëve dhe ndërprerjen menjëherë të dy nismave ligjore të qeverisë që lidhen me pasaportat e arta dhe amnistinë fiskale, si nisma që stimulojnë aktivitetin kriminal të parstrimit të parave të pista në Shqipëri që edhe pa këto nisma gëlon dhe e ka shndëruar Shqipërinë në një lavatriçe të pastrimit të parave të pista.
Para ligjvënësve demokratë në mbledhjen e grupit parlamentar, Boçi deklaroi se protestat që vijojnë e kanë frikësuar Ramën, ndaj ai po I kërcënon dhe shantazhon pedagogët.
Luçiano Boçi: Protestat janë zgjuar, qytetarët kanë shprehur reagimet e tyre në forma dhe mënyra të ndryshme. Pedagogët janë në ditën e tretë. Në vend që t’ju japë përgjigje kërkesave të tyre, Rama ka rritur intonacionet kërcënuese dhe intimiduese ndaj depagogëve dhe bizneseve.
Të njëjtin qëndrim mbajti dhe kryedemokrati Berisha, i cili u shpreh se opozita do të solidarizohet me protestat e pedagogëve.
Sali Berisha: Sa i përket mbështetjes sonë, ajo është lëvizje sindikaliste dhe ne mbështesim çdo kauzë të drejtë. Nesër në parlament kryeaxhenda duhet të jetë mbrojtja e elitës universitare dhe denoncimi i këtij agresioni, këtij sulmi ndaj tyre, përpjekjet për t’i përçarë, nuk mund të imagjinoni çfarë terrori ushtrohet për t’i përçarë.
Deklaratat e kryedemokratit vijnë në një kohë që pedagogët kanë thirrur të enjten protestë kombëtare të të gjitha universiteteve të vendit.
