“Shtëpi bari” në Shkodër, kapen drogë, armë dhe fidanë kanabisi në banesë, prangoset 32-vjeçari
Vijon megaoperacioni policor i koduar “Qarku”, ku është finalizuar faza e shtatë e tij.
Kishte përshtatur një dhomë të banesës së tij, për kultivimin e bimëve narkotike, me anë të llambave elektrike, arrestohet në flagrancë 32-vjeçari, duke e çuar në 34 numrin e të arrestuarve në këtë operacion.
Ndërkohë sekuestrohen gjatë fazës së shtatë: armë, drogë, fidanë narkotikë të kultivuar dhe bimë narkotike në proces tharjeje.
“Në vijim të megaoperacionit policor të koduar “Qarku”, është finalizuar faza e shtatë të këtij operacioni, si rezultat i së cilës është evidentuar dhe goditur një rast i përshtatjes së ambienteve të banesës, për kultivimin e bimëve narkotike, me anë të llambave elektrike. Gjatë operacionit është ushtruar kontroll në banesën e shtetasit M. Sh., në Dajç, Shkodër, në të cilën shërbimet e Policisë kanë evidentuar një dhomë që ishte përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike me anë të llambave elektrike. Në ambientet e banesës janë gjetur 20 fidanë të dyshuar narkotikë të kultivuar në vazo plastike, bimë të dyshuara narkotike në proces tharjeje dhe lëndë të dyshuar narkotike kanabis me peshë rreth 1.2 kg.” – njofton policia.
Këto të fundit janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, së bashku me pajisjet elektrike që shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike në ambiente të mbyllura.
Gjithashtu, gjatë kontrollit të kësaj banese është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pushkë.
Në përfundim të veprimeve u arrestua në flagrancë pronari i banesës, shtetasi M. Sh., 32 vjeç, banues në Dajç, Shkodër dhe materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Gjatë 7 fazave të megaoperacionit policor antikanabis të koduar “Qarku”, janë vënë në pranga 34 shtetas, si dhe janë sekuestruar në total, 270.7 kg kanabis, 476 bimë dhe fidanë kanabisi, dhjetëra doze kokaine, pajisje që shërbenin për përpunimin e kanabisit, 2 armë zjarri, municion luftarak, 1 armë sportive, 4 automjete dhe 16 aparate celulare.
Megaoperacioni “Qarku” vijon.

