Vranë miqtë e Ervis Martinaj, burg për jetë për ekzekutorin e Bujar Likës e Paulin Gjergjit në Kurbin
Gjykata e Kurbinit dënoi me burgim të Përjetshëm Eduart Lamajn, për vrasjen e Bujar Likës dhe Paulin Gjergjit më 30 maj të vitit 2020. Bashkëpunëtori i tij Ilir Lika (Xhepaj), u dënua me 33 vite burg, ndërsa dy të tjerë janë ende në kërkim.
Eduart Lamaj u dënua me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Kurbinit si ekzekutor i Bujar Likës dhe Paulin Gjergjit më 30 maj 2020.
Ilir Lika (Xhepaj) i cili sipas dosjes hetimore kishte rolin e bashkëpunëtorit në krim u dënua me 33 vite burg.
Vendimi u dha këtë të martë nga trupa gjykuese e kryesuar nga gjyqtarja Alda Sadiku, e cila pranoi pa ndryshime kërkesën e prokurorisë.
Klaudio Përkola dhe Oltion Vlashi, plotësonin katërshen e grupit të zjarrit që sulmuan Bujar Likën dhe Paulin Gjergjin në një lokal në autostraden Milot-Mamurras.
Por dy të rinjtë janë ende në arrati ndaj dhe procesi ndaj tyre është pezulluar për një vit.
Pas krimit Eduard Lamaj u ndalua teksa merrte mjekim në ambjentet e një klinike private pasi mbeti i plagosur nga shkëmbimi i zjarrit me Bujar Likën.
Ndërsa Ilir Lika "Xhepaj" u arrestua në zonën e Yzberishtit në Tiranë, ku fshihej.
Në dëshminë e tij, Eduart Lamaj është shprehur se objektiv i atentatit ishte Ilirjan Allaman, me të cilin kishte konflikte të hershme për pazare droge në Itali.
Por ky i fundit, nuk ishte i pranishëm në lokalin ku mbeten të vrarë Bujar Lika dhe Paulin Gjergji të cilët njiheshin si miq të Ervis Martinajt, të ashtuquajturit Mbreti i Lojërave të Fatit tashmë i zhdukur në mënyrë misterioze.

