Hashashi “industri” punësimi/ “Shtëpia e Barit” në Shkodër që punësoi 10 gra përpunuese
Jo vetëm në Angli e Spanjë, por shtëpitë e barit duket se po kthehen në industri edhe në Shqipëri. 10 gra nga disa qytete u ndaluan në Shkodër, pasi punonin në një laborator të përpunimit të bimëve narkotike. Organizatore e punësimeve ishte një grua nga Tirana.
10 gra nga Tirana, Kamza dhe Fushë Kruja kishin udhëtuar drejt Shkodrës për të punuar me kanabis sativa.
Ato u kapën në banesën e 31 vjeçarit Pjetër Gjoni, në fshatin Bardhaj e cila ishte kthyer në një laborator të kultivimit të bimëve narkotike.
Punën e paligjshme ua kishte gjetur 42 vjeçarja nga Tirana Danjela Hasani, e dënuar edhe 3 herë të tjera më parë po për këtë veprimtari kriminale.
"Mbi bazën e informacioneve të mara në rrugë operative, është organizuar dhe finalizuar faza e katërt e megaoperacionit, e zhvilluar në lagjen “Bleran” të fshatin Bardhaj, njësia administrative Rrethinat Shkodër, ku u arrestuan në flagrancë 16 shtetas dhe u shpall në kërkim 1 tjetër," njoftoi Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, Hamdi Fjora.
"Nga kontrolli i ushtruar në banesën e shtetasit Pjeter Gjoni, 31 vjeç, në ambientet e jashtme dhe të brendshme të kësaj banese, shërbimet e Policisë kanë gjetur sasi lënde narkotike në proces tharjeje dhe lëndë narkotike të thatë, me peshë totale 86 kilogramë.
Gjithashtu, gjatë kontrollit të kësaj banese, janë kapur në flagrancë duke përpunuar lëndë narkotike 10 shtetase. Ndërsa gjatë fazës së tretë të operacionit në Vaun e Dejës janë sekuestruar 22 kilogramë kanabis sativa dhe janë vënë në pranga babë e bir, shtetasit me inicialet M.N dhe K.N, si dhe u shpall në kërkim shtetasi P.L. Janë gjetur dhe asgjësuar në të gjithë territorin e qarkut rreth 355 bimë kanabis sativa të kultivuara në miniparcela në zona të punësuara," tha ai.
Kur policia e Shkodrës ndërhyri në banesë u gjetën 86 kilogramë kanabis në proces tharjeje ose i gatshëm për shitje.
Veç 10 punëtoreve të hashashit në pranga përfunduan edhe 6 anëtarë të familjes Gjoni, ndërsa një tjetër u shpall në kërkim.
Sipas policisë, Pjetër Gjoni grumbullonte bimë narkotike kanabis për përpunimin dhe përgatitjen për shitje.
191 kilogramë kanabis dhe 456 bimë narkotike gjithashtu kanabis janë sekuestruar nga uniformat blu në kuadër të katër fazave të operacionit të koduar "Qarku".
Në total 24 persona janë vënë në pranga, ndërsa disa raste të kultivimit të kanabisit në pyje mbeten ende pa autor.
Parcelat e vogla në zonat e thella malore dhe shtëpitë e barit janë konfirmuar nga operacionet e Policisë së Shtetit si dy mënyrat kryesore të kultivimit të bimëve narkotike në vendin tonë vitet e fundit.
PUNËTORET E KANABISIT
1.Danjela Hasani, 42 vjeçe, organizatore
2.Drita Çuni, 45 vjeçe
3.Dorentina Hoxha 34 vjeçe
4.Franga Gini 52 vjeçe
5.Hurme Bafti, 47 vjeçe
6.Mimoza Hoti, 51 vjeçe
7.Elida Doku 43 vjeçe
8.Blerina Meta, 37 vjeçe
9.Valbona Haka, 45 vjeçe
10.Fatime Baftaj 53 vjeçe
OPERACIONI “QARKU”
Zef Gjoni, 56 vjeç
Antoneta Gjoni, 55 vjeçe
Elvis Gjoni, 24 vjeç
Roland Gjoni, 22 vjeç
Pjetër Gjoni, 31 vjeç
Flora Gjoni, 29 vjeçe
Fabion Gjoni, 31 vjeç
Drejtoria Vendore e Policisë së Shkodrës ditën e sotme në një deklaratë për mediet ka dhënë detaje lidhur me laboratorin e drogës në Shkodër.
Në një deklaratë për mediet, drejtuesi i parë Hamdi Fjora tha se nga kontrolli i ushtruar në banesën e shtetasit Pjetër Gjoni, 31 vjeç, janë gjetur sasi lënde narkotike në proces tharjeje dhe lëndë narkotike të thatë, me peshë totale 86 kilogramë kanabis.