Mungesë e madhe për Anglinë në Kupën e Botës, mbrojtësi i Chelseat 8 javë jashtë fushave
Anglia humbet një nga lojtarët më të fortë të skuadrës së Gareth Southgate për Kupën e Botës, Katar 2022 që starton pas rreth një muaji. Mbrojtësi i Chelseat, Reece James, i dëmtuar në transfertën e bluve në Milano, do të qëndrojë rreth 8 javë larg fushave dhe në këtë mënyrë “Tre Luanët” nuk do të kenë mundësi të mbështeten te mbrojtësi i krahut të djathtë, i konsideruar një nga më të mirët e Premier League.
Mungesën e James në Kupën e Botës e konfirmon edhe Chelsea ndërsa federata ka shprehur indinjatën ndaj klubit londinez që nuk duhej ta kishte rrezikuar lojtarin, i cili kishte shqetësime në gjurin e dëmtuar, ndërsa u kthye në Londër një ditë pas ndeshjes duke mos marrë mjekimin e nevojshëm.
Gjithsesi, 22-vjeçari nuk është dorëzuar ende dhe ai shpreson që të jetë gati për të udhëtuar bashkë me skuadrën në Katar ku Anglia është një nga skuadrat pretendente për të fituar trofeun e dytë të Kupës së Botës.
