4000 euro për një parcelë kanabisi/ Zyrtari i Bashkisë Vau i Dejës akuzon shefin e Policisë: Lejoi kanabizimin
Një zyrtar i Bashkisë së Vaut të Dejës rikthen akuzat se shefat e policisë lejojnë dhe mbrojnë parcelat e kanabisit kundrejt rryshfetit. Mark Zhuri, përfaqësues i PS, akuzon publikisht kreun e policisë Bardhyl Saliu se merr deri 4000 euro për një parcelë me bimë narkotike në zonë. Kryepolici nga ana e tij injoron akuzat dhe thotë se kontrollet nga Tirana e kanë nxjerrë të Pastër.
Mark Zhuri, përfaqësues i lartë i Partisë Socialiste në Vaun e Dejës, aktualisht Sekretar i Përgjithshëm i Bashkisë së drejtuar nga Mark Babani, akuzon shefin e komisariatit, Bardhyl Saliu se ka lejuar dhe ka mbrojtur kanabizimin e territorit.
Sipas zyrtarit lokal, drejtuesi i policisë ka favorizuar kultivuesit e kanabisit në zonën e Temalit, kundrejt pagesave që shkojnë deri në 3000 euro.
“Teritori është i mbushur me kanabis ,pra me mbështetjen e tij ka bërë seleksionime. Ata persona që kanë paguar 3000 deri në 4000 euro për parcelë, nuk u është hequr parcela. Të tjerët që nuk kanë paguar i kanë zhdukur , i kanë djegur,” tha Mark Zhuri.
Ai shkon më tej kur thotë se drejtuesi i policisë ka djegur qëllimisht mbi 200 hektarë pyje në këtë njësi administrative.
“Lidhja e kriminalitetit vazhdon te inspektori i zonës, shefi i komisariatit , drejtori i policisë dhe drejtorat e mëdhenj të përgjithshëm . Ma mer mendja se Bardhyli te ardhurat e tij i ka siguruar për këtë vit,150 % te prodhimit e ka realizuar,” tha ai.
Për këtë veprimtari kriminale të kryepolicit të Vaut të Dejës, siç e cilëson, zyrtari i Bashkisë thotë se ka bërë kallëzim në Prokurori dhe i është drejtuar me shkresa gjithë linjës së drejtuesve të Policisë së Shtetit deri tek Kryeministri Edi Rama, duke paraqitur dhe prova.
Por veç heshtjes së autoriteteve thotë se është përballur edhe me kërcënimin e shefit të komisariatit të Vaut të Dejës.
“Përgjigja e fundit ishte kërcënimi i shefit të komisariatit në datën 11 ora 12:00 pasi dola nga takimi me Kryetarin e Bashkisë,” tha ai.
Shefi i komisariatit të Vau Dejës Bardhyl Saliu, i kontaktuar nga Ora News hodhi poshtë akuzat!
“Unë zotit Zhuri i kam bërë kallëzim në prokurori që më 9 Shtator. Ato që ai shkruan dhe akuzon nuk qëndrojnë. Për këto pretendime ka pasur grupe kontrolli nga Tirana. Nuk kam ndërmend të merrem me akuza e kundërpërgjigje,” tha Bardhyl Saliu, Shefi i Komisariatit Vau i Dejës
Ndërsa zyrtari i Bashkisë së Vaut të Dejës kërkon largimin nga detyra dhe ndëshkimin e Shefit të Komisariatit, ky i fundit thotë se është në Policinë e Shtetit prej 37 vitesh dhe e kryen detyrën me integritet.
Përballja e zyrtarëve tashmë është shpërngulur në dyert e drejtësisë
