Auditorët do të bojkotohen/ Pedagogët do të paraqiten vetëm për prezantimin me studentët e rinj
Pedagogët kanë deklaruar se nuk do të zhvillojnë mësim të hënën e 17 tetorit, deri kur qeveria të pranoj kërkesat e tyre. Ditën e parë të vitit akademik, pedagogët do të jenë në auditore vetëm për prezantimin më studentët e rinj, e më pas do të protestojnë cdo ditë 2 orë përball fakulteteve.
Në 17 tetor auditorët do të jenë të hapur vetëm për tu prezantuar me studentët e vitit të parë, e më pas pedagogët do të protestojnë përpara fakulteteve.
"Ditën e hënë 08:00-10:00 do të vijnë studentët e rinj në universitete. Dhe në orën 10:00 i gjtihë personeli akademik do të jetë përpara në oborret e të gjithë fakulteteve," tha Kreu i sindikatës.
Kreu i sindikatës së punonjësve të universiteteve, Aleksandër Kovaçi, nuk kërkon më shumë se niveli pagave në Kosovë.
"Ka ardhur koha që tani të mos themi ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa, por si Kosova," tha ai.
Pedagogia Albana Dedaj u kërkoi kolegëve të saj të mos shantazhohen, por ti bashkohen protestave për dinjitetin e punonjësve të arsimit të lartë.
"E dimë që janë nën presion, e dimë që janë thirru në mbledhje dhe para pak minutash erdhën disa kolegë nga ajo mbledhje. Por dhe ne të tjerët jemi nën presion.
Edhe ne kemi fëmijë që i mbajmë me këto rroga anemike, por këtu bëhet dallimi mes një militanti dhe intelektuali të vërtetë. Intelektuali ka kurajon profesionale të luftojë me argument për të drejtën e të vërtetën," tha ajo.
Erison Karamani është pedagogu më i ri te gjeologji minierat. Studimi, thotë se nuk e ka ndihmuar të ketë një ekonomi të mirë…
"Ndoshta në vend që të ulesha e të studioja, thjesht të kisha hyrë tek një nga këto programet degjeneruese që kanë televizionet shqiptare dhe me shumë mundësi do të isha idhulli i shumë të rinjve sot dhe do kisha një karrierë që shumë do ma kishin zili," tha ai.
Protestës së të premtes ju bashkuan edhe përfaqësues nga studentët të cilët deklaruan se do të mbështesin kauzën e pedagogëve.
