Xharra: Rama, fjalim populist në KiE. Kë deshi të impresionojë?Perëndimi e di gjendjen në Kosovë e Shqipëri

Analistja, Arbana Xharra, e konsideron fjalimin e Ramës në Asamblenë e  Përgjithshme të KiE populist dhe pa asnjë produkt.

Për Rtv Ora ajo thotë se nëse analizohet fjalimi i tij në terësi, Rama i ka bërë dëm Kosovës dhe Shqipërisë me deklaratat e tij.

Xharra: Kë deshi të impresionojë? Liderët të huaj që e dinë gjendjen në Kosovë, Shqipëri dhe Serbi. E dinë se armiku i BE dhe SHBA është Rusia. E dimë shqetësimin që ka Perëndimi me kërcënimet, armatimin e Serbisë prej saj. Nuk e di kë deshi të impresionojë? Rama vjen nga një vend me korrupsion shumë të lartë, skandale shumë të mëdha. Përmendi raportin e Dick Marty por kurseu Serbinë duke mos përmendur faktin që Zvicra zyrtarisht deklaroi se sigurimi i shtetit serb ka dashur të krijojë atentat ndaj Dick Marty dhe është mbajtur në mbrojtje të shtetit.

Kur fliste për luftën dhe krimet ja atribuonte çdo gjë Millosheviçit duke kursyer liderët aktualë që kanë qenë të kyçur në atë regjim. Etiketoi ministrin Vulin si prorus ndërkohë që kemi të bëjmë me një racist, me një kriminel me fakte të shumta.Ka eufori kur dilet me këto deklarata populiste por nëse analizohet fjalimi i tij ai i ka bërë dëm Kosovës dhe Shqipërisë. Rama pretendon të marrë rolin e një udhëheqësi të Ballkanit si Erdogani që provon të marrë udhëheqjen e botës islame por nuk mund ta ketë atë rol për shkak të krizave të brendshme, armiqësisë  që ka shkaktuar me Perëndimin.

Ajo komentoi edhe lajmin për kushtëzimin e liberalizimit të vizave nga Franca.

Xharra: Qëndrimi i Francës lidhet dhe me raportin që tani ka krijuar Rama me vendet e BE dhe atë që po ndodh së fundmi. Ne jemi dy vende shumë të vogla dhe nuk ka interes shumë të madh të BE për ne. Gjithçka që duhet të dimë është rreziku nga forcimi i Serbisë në raport me Rusinë për shkak të kërcënimeve që Rusia po u bën dhe vendeve të tjera.

Xharra thotë se shpreson që opinioni publik do hapë sytë dhe të mos bjerë pre e këtyre fjalimeve populiste të liderëve në Kosovë e Shqipëri.

Xharra: Shpresoj që vetëm presioni publik mund të ndryshojë gjërat në dy vendet tona.