Lumin Mat e “vjedhin” natën/ IKMT dhe Policia aksion për nxjerrjen e paligjshme të inerteve
Orët e natës po shfrytëzohen për nxjerrjen e paligjshme të inerteve nga Lumi Mat. Përmasat e fenomenit, kanë detyruar IKMT dhe Policinë të nisë monitorimin e shtratit të lumit për të ndëshkuar autorët e krimit mjedisor
Shfrytëzimi pa kriter i Lumit Mat për inerte më në fund ka vënë në lëvizje autoritet ligjzbatuese.
Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit Drejtoria Rajonale Lezhë, mbështetur dhe policia prej dy javësh kanë nisur monitorimin e shtratit të Lumit gjatë orëve të natës.
Është kjo kohë që shfrytëzohet më së shumti për marrjen e inerteve nga subjekte apo individ të ndryshëm.
Gjatë kontrolleve të ushtruara janë kapur në flagrancë eskavator dhe kamiona të cilët merrnin materiale, inerte pargjatë shtratit të Lumit Mat në mënyre të paligjshme.
IKMT ka ndërmarrë dy masa administrative për dy subjekte në bazë të kopetencave ligjore.
Drejtori i këtij institucioni Flori Gjini bën me dije se monitorimi do të jetë i vazhdueshëm dhe nuk do të ketë tolerime ndaj shkelësve të ligjit.
Shfrytëzimi pa kriter i Lumit Mat për inerte nga kompani të ndryshme është kthyer në një problem mjaft shqetësues gjatë viteve të fundit.
Nga marrja e inerteve lumi ka ndryshuar rrjedhë në disa pika, duke gërryer qindra hektarë tokë bujqësore.
Shfrytëzimi pa kriter i Lumit Mat për inerte është një prej shkaqeve edhe për dëmtimin e Urës së Zogut, monument kulture që rrezikon shembjen.

