Rama “harron” akcizën e karburanteve, qeveria vlerëson më jetike heqjen për hirrën e qumështit

Qeveria nuk është e interesuar aspak që të ndërhyjë në redukltimin e akcizës për karburantet, por vlerëson se më me rëndësi është heqja e saj për hirrën e qumështit. Në draftin e paketës fiskale për vitin 2023 të nxjerrë tashmë për konsultim, parashikohet dyfishimi i gjobave për mosdeklarim të punonjësve dhe fshehje të pagës

Në një kohë që shtrenjtimi I karburanteve është pasuar nga një efekt domino duke shkaktuar rritje të të gjitha çmimeve të produkteve dhe shërbimeve në vend, qeveria e shikon më të arsyeshme që të heqë akcizën për hirrën e qumështit se sa të ndërhyjë në akcizën e karburanteve, çka do të sillte dhe frymëmarrje në buxhetet e familjeve shqiptare.

Në draftin e paketës fiskale për vitin 2023 të nxjerrë tashmë për konsultim, qeveria propozon heqjen e taksës së hirrës së qumështit dhe taksës së kremit të qumështit respektivisht 150 lekë për kilogram.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Kjo masë thotë Qeveria, vjen për shkak se tregu i bulmetit është nën presion nga mungesa e prodhimit vendas nga rënia numrit të bagëtive.

Ndërkaq, Qeveria propozon rritjen e masave të penaliteteve për evazorët fiskalë

Ajo nuk propozon ndryshime thelbësore në ligjet e tatimeve, por merr në konsideratë masa fiskale për drutë e zjarrit, akumulatorët e paneleve diellorë dhe pajisjeve elektrike. Gjithashtu vitin që vjen gjobat rriten nga 2 deri në 10-fish për të raste të evazionit.

Në ndryshimet fiskale që u hodhën të martën në konsultim nga Ministria e Financave parashikohet dyfishimi i gjobave për mosdeklarim të punonjësve dhe fshehje të pagës.

Në legjislacionin aktual penaliteti është 100% të detyrimit dhe kontributit të llogaritur për të gjithë tatimpaguesit. Në ndryshimet e reja bëhet 200 % të detyrimit dhe kontributit të llogaritur për tatimpaguesit entitete juridike dhe 100 % të detyrimit dhe kontributit për të gjithë tatimpaguesit e tjerë.

Sipas Ministrisë së Financave ky ndryshim vjen si rezultat i domosdoshmërisë për ashpërsimin e penaliteteve për këtë kategori shkeljesh dhe tatimpaguesish.

Po ashtu, ulet gjoba për deklaratën individuale nga 5.000 lekë që është aktualisht në 3.000 lekë.

Paketa fiskale 2023 merr ne konsideratë kalimin e përgjegjësisë për pagesën e TVSH-së, personit të tatueshëm për të cilin kryhet furnizimi me energji elektrike nëpërmjet mekanizmit të revers charge (autongarkeses) dhe një skemë e veçantë për Bursën Shqiptare për tregtimin e Energjisë.